Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të takohet nesër me presidentin serb, Vuçic për dialogun, pas vizitës së pesëshes së madhe në Ballkan, që sollën një plan të ri për Kosovën e Serbinë.
Është raportuar se Kurti e ka pranuar themelimin e Asociacionit në fillim të muajit nëntor dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri tani.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë për Gazetën Blic se Kurtit nuk i është dhënë statuti i asociacionit, por nga ai është kërkuar që të fillojë me procedurat për themelimin e asociacionit, si dhe iu është dhënë agjenda kohore me datat përkatëse për fillimin e zbatimit të planit franko-gjerman dhe zotimeve të bëra në Ohër.
“Unë nuk merrem me spekulimet e ditës, por sa di unë Kurtit nuk i është dhënë Statuti i asociacionit, por nga ai është kërkuar që të fillojë me procedurat për Themelimin e Asociacionit, si dhe iu ka dhënë agjenda kohore me datat përkatëse për fillimin e zbatimit të Planit Franko-Gjerman , dhe zotimeve të bëra në Ohër”, tha Haliti.
Tutje, ai thotë se takimi Kurti-Vuçiç do të jetë një takim shumë i vështirë, veçanërisht pas asaj që ka ndodhur në veri pas zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës, si dhe ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë. Haliti thekson se nëse takohen pa pasur një raport hetimor të organeve ligjzbatuese, do të jetë shumë e vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje.
“Takimi Kurti – Vuçiç nëse mbahet do jetë shumë i vështirë, veçanërisht kur dihet se çfarë ka ndodhur në Veri pas zgjedhjeve në katër komunat e Veriut të Kosovës, si dhe ngjarjet e 24 shtatorit në Banjska. Nëse takohen pa pasur një raport hetimor të organeve ligjzbatuese dhe nuk ka një raport të besuar hetimor ndërkombëtar, do të jetë shumë e vështirë të arrihet ndonjë marrëveshje”, u shpreh ai.
Sa i përket asociacionit, Haliti thotë se ai është zari i Albin Kurtit për zgjedhjet e ardhshme.
“Nëse ia sjellin punën ngushtë me presion, ai do të bëjë dorëheqjen e qeverisë për ta përdorur zarin e mosthemelimit të asociacionit apo ‘Zajednicës’ siç e quan ai, dhe me këtë moto të futet në zgjedhje me qëllim që t’i rifitojë ato”, shprehet ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.
Ai thotë se problem tjetër është edhe qëndrimi e sugjerimi i Ambasadorit të Rusisë për Vuçiqin, i cili është që Serbia t’i përmbahet rezolutës së OKB 1244.“Sa i përket Asociacionit, ai është Zari i Albinit për zgjedhjet e ardhshme. Unë besoj që nëse ia sjellin punën ngushtë me presion, ai do ta bëjë dorëheqjen e qeverisë për ta përdorur zarin e mos themelimit të Asociacionit apo “Zajednicës” siç e çuan ai, dhe me këtë moto të futet në zgjedhje, me qëllim që t’i rifitojë ato. Problem tjetër i madh edhe qëndrimi e sugjerimi i Ambasadorit të Rusisë për Vuçiçin. E që është: Serbia t’i përmbahet Rezolutës së OKB 1244, sipas tani qëndrimit të Serbisë: Kosova është Serbi”, u shpreh ai.
Deputeti Haliti sa u përket zgjedhjeve thotë se duhet të bëhet marrëveshja shumëpalëshe që garanton pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhje. “Sa ju përket zgjedhjeve, duhet bërë marrëveshje shumëpalëshe që garanton pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në zgjedhje. Ndërsa, kryetarët e katër komunave duhet të bëjnë marrëveshjet e noterizuara e të nënshkruara që nëse qytetarët serbë prapë nuk dalin në zgjedhje, mos me pasë zbrazëtirë në funksionimin institucional të komunave sepse ekziston mundësia që të krijohet kaos në mungesë të institucioneve dhe të bëhen hakmarrje siç po pretendojnë forcat nacional-shoveniste të Serbisë”, tha Haliti.