Edhe pse situata me koronavirus kishte ndryshuar tërësisht dhe numri i rasteve aktive në Kosovë kishte rënë gati në zero, situata ndryshoi krejtësisht në javët e fundit.
Tanimë numri i rasteve aktive në gjithë Kosovën ka arritur në 10 mijë e 830 raste gjithsej.
Pikërisht ky numër i lartë i rasteve aktive, por edhe rasteve të reja të cilat po konfirmohen çdo ditë ka rritur edhe frikën për rikthim të situatës së mëparshme me COVID-19.
Lidhur me këtë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se rreziku që paraqitet nga virusi COVID-19 është real, pasi variantet aktuale të Omicron, janë mjaftë të transmetueshme.
Po ashta se tani në Kosovë është varianti Omicron, me nën-variantet e tij e që është shumë i transmetueshëm, por më pak agresiv se sa që ishte versioni Delta.
“Rreziku është real, sepse variantet aktuale te Omicron, janë mjaft të transmetueshme. Delta ka qenë verën e kaluar, shumë agresive në manifestimin klinik të rasteve. Tani kemi variantin Omicron me nënvariantet e tij që është shumë i transmtueshëm, por më pak agresiv në format e sëmundjes Delta”, u tha nga MSH.
E pavarësisht këtij rreziku mjaft të lartë, vaksinimi antiCOVID është në numër shumë të ulët.
Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të hezitojnë vaksinimin, anipse është masë më e nevojshme që duhet vendosur të gjithë, në mënyrë që shpërndarja të jetë më e vogël por edhe rreziku i përkeqësimit të shëndetit pas infektimit të jetë shumë më i ulët.
E sipas ministrisë, duhet pasur parasysh që rezultatet e dala të hënave për vaksinimit janë të 24 orëshit paraprak, pasi që të dielave nuk ka vaksinim.
“Ju lutem të keni parasysh që në rezultatet që publikohen të hënën, janë të 24 orëshit paraprak, që do të thotë se të dielave nuk ka vaksinim. Të shtunave sipas kërkesave, ndërsa gjatë 5 ditëve të punës në Kosovë vaksinohet në të gjitha komunat”, u tha nga MSH.
Gjithashtu u theksua se Ministria e Shëndetësisë ka ofruar çdo mundësi për vaksinim.
“Vaksinimin në shtëpi të personave të palëvizshëm, vaksinimin me ekipe mobile, në qendra të ndryshme,në qytete dhe në njësitë e vaksinimit. Gjithashtu çdo ditë informohet publiku dhe qytetarët në çdo gjë që ka të bëjë me vaksinën dhe nevojën e vaksinimit dhe me fushata të përhershme”.Sipas ministrisë së Shëndetësisë një pjesë e mirë e popullatës janë vaksinuar, por MSH vazhdon të bëjë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi tash për tash kjo është masa më e mirë që mund të aplikohet kundër virusit COVID-19.
“Vaksinimi ndihmon në parandalim, rastet që preken dhe që janë të vaksinuar përjetojnë forma më të lehta të sëmundjes dhe përmes vaksinimit janë shpëtuar shumë jetë”.
Të pyetur nëse situata aktuale e përballjes me virusin COVID-19,mund të ndikojë në kthimin e masave anti-COVID, nga Ministria e Shëndetësisë kanë theksuar se e gjitha varet se çfarë rekomandojnë ekspertët dhe se çfarë masash tregohen më efektive dhe të zbatueshme.
“Me masat në fuqi, maska mbrojtëse rekomandohet të bartet në mjedise të mbyllura/ të brendshme”,u theksua nga Ministria e Shëndetësisë.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 1 mijë e 153 raste të reja me koronavirus, kurse humbën jetën tre qytetarë.
Tani për tani në klinikat e QKUK-së dhe në spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar 92 pacientë të prekur me këtë virus./Lajmi.net/