Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohet nga QKUK-ja apo spitalet rajonale për të miturat që dërgohen në këto institucione shëndetësor për të marrë tretman mjekësor apo për të lindur. Të miturat kryesisht kapen duke bashkëjetuar me persona të moshës madhore apo edhe me bashkëmoshatarë të tyre.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Pejë, pasi një e mitur kishte ngelur shtatzënë nga bashkëjetesa me një 19-vjeçar.
Sinjali mëson se e mitura, e moshës 16-vjeçare ishte martuar me të dyshuarin në fillim të këtij viti dhe më pas ka mbetur shtatzënë, periudhë kjo që akoma nuk kishte mbushur 16 vjeç.
Detajet e rastit u zbardhën pasi vajza dha dëshminë e saj në stacion policor, që e aktivizoi Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Hetuesit policorë kanë intervistuar edhe 19-vjeçarin, i cili ka dhënë deklaratën e tij në cilësinë e të dyshuarit, lidhur me këtë rast.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj të dyshuarit për veprën ‘Bashkëjetesë me personin nën moshën 16-vjeç’.