Në prag të mbledhjes së Këshillit Evropian ku pritet të diskutohet për Kosovën dhe Serbinë, ftohja dhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë duken vite dritë larg. Situata pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit duket se ka krijuar mjegull në ‘Rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Derisa Kosova është e fokusuar në thirrjet ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të marrë masa ndaj shtetit serb, Serbia në anën tjetër nuk është distancuar nga sulmi terrorist në Banjskë.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq la të kuptohej se shteti serb nuk ka ndërmend të ekstradojë Milan Radoiciqin dhe anëtarët e tjerë të grupit paramilitar, të cilët kryen sulm terrorist brenda territorit të Kosovës.
Për ngjarjet e 24 shtatorit, Bërnabiq deklaroi në Këshillin e Sigurimit se trazirat e muajit të kaluar ishin “një pasojë logjike, për fat të keq, e mbretërimit të frikës dhe terrorit që Prishtina vendosi të zbatojë pavarësisht kërkesave të qarta për de-përshkallëzimin nga komunitetit ndërkombëtar”.
Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi në KS të OKB-së përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për për të manipuluar të vërtetën, duke ndryshuar rolet e agresorit dhe viktimës.
Për sulmin e grupit terrorist dhe paramilitar në Bansjka, Osmani tha se ishin financuar, trajnuarm armatosur e mbështetur politikisht nga Serbia.
“Ajo që kemi sot nga Serbia është një zgjatje e përpjekjeve të tyre të përsëritura për të rrëzuar shkallën e kërcënimit të paprecedentë të sigurisë dhe aktit të agresionit të Kosovës. Ata donin gjithashtu të shtrembëronin të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës. Ata u përpoqën të ndërronin vendin e agresorit me atë të viktimës së agresionit. Por faktet janë të pakundërshtueshme dhe provat tregojnë të kundërtën.” – deklaroi Osmani.
‘S’ka dialog pa sanksione’
Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas paralajmërimeve për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, ka thënë se nuk ka dialog nëse Serbia nuk dënohet apo sanksionohet pas sulmit në Banjskë. Kjo deklaratë po bëhet një ditë pas ftesës së BE-së për takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.
“Nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që bënë, definitivisht nuk do të ketë dialog.” – ka thënë Kurti.
“Ne do të përfundojmë në një menaxhim të dështuar të krizës dhe do të harrojmë fare për normalizimin” – ka thënë tutje ai për Finacial Times.
Kurti i akuzoi sulmuesit se “po mundoheshin që të nisnin një konflikt të armatosur të ri, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit tonë”.
Ai tha se pas sulmit të 24 shtatorit, “gjithçka ka ndryshuar. Nuk mund t’i kthehemi punës si zakonisht.”
Propozimi ‘modern’
Nga ana tjetër, pas vizitave të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që ata patën me palët, Bashkimi Evropian – megjithëse nuk u dhanë specifika – tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin komunave me shumicë serbe. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për të normalizuar marrëdhëniet.
“U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, percjell REL.