Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë – i prezantuar ditë më parë – të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.
Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, duke e konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në takimet e 26 tetorit në Bruksel.
Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ata janë ftuar në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, në disa takime që i kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.
Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për një plan.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë më 24 tetor se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.
Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.
Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.
Zotimi për themelimin e Asociacionit është përtërirë sërish këtë vit në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që Kosova dhe Serbia e kanë arritur në Bruksel dhe e kanë konfirmuar në Ohër/Marrë nga lajmi.net