Zëdhënsja e LDK-së kritikon Kurtin: Do të duhej të raportonte për ultimatumin nga pesëshja diplomatike

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti do të duhej të raportonte në Kuvend për ultimatumin që ka marrë nga pesëshja që përfaqësojnë aleatët strategjik të Kosovës, para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës.

Sipas saj, Kurti ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze, raporton Klan Kosova.

“Kuvendi në anën tjetër, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen. Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.