Kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në një panel diskutues të organizuar nga The Economist në Greqi.
Duke folur në këtë forum, Kurti ka kërkuar që marrëveshja e arritur në Bruksel e Ohër me Serbisë të zbatohet me shpejtësi. Ai tha se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë dhe se vazhdon të jetë edhe tash, por se kjo s’po ndodh edhe me palën tjetër.
“Në historinë e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, ne kemi më shumë se 40 marrëveshje, por kemi mungesë të zbatimit. Të bësh një marrëveshje dhe të zbatosh atë janë dy planetë të ndryshëm dhe neve na duhet t’i sjellim në kontinentin e njëjtë – në kontinentin e Europës. Pra, t’i zbatojmë me shpejtësi ato që jemi marrë vesh dhe unë prapë jam i gatshëm të nënshkruaj për gjithçka që kam thënë po. Ky s’është rasti i njëjtë me palën tjetër, prandaj vështirësitë filluan”.
Ai tregoi që ka ofruar nënshkrimin disa herë, por se Beogradi po refuzon të nënshkruajë sepse përmbajtja e marrëveshjes është njohje de facto dhe tha se ishte model i dy Gjermanive.
Kurti fillimisht u pyet se si e sheh të rrugën përpara pas sulmit terrorist në Banjskë. Në përgjigje Kurti tregoi pak për ditën e 24 shtatorit dhe tregoi se sfiduese është kontrolli i kufirit me Serbinë, për të cilin tha se duhet kontroll i përbashkët i policisë me KFOR-in “në kufirin e gjatë me Serbinë”.
“Por, në të njëjtën kohë ne duhet të zbatojmë marrëveshjen që e kemi bërë”, tha ai.
Kurti foli gjithashtu edhe për bashkëpunimin mes SHBA-së dhe BE-së dhe për nevojën e krijimit të një koalicioni të shteteve demokratike kundër autokracive.
“Ne duhet ta forcojmë urën transatlantike dhe Presidenti Biden ka punuar fort në këtë. Dhe unë mendoj që SHBA dhe BE i duhen njëra-tjetrës më shumë se kurrë. Dhe në këtë kuptim ne duhet të krijojmë një koalicion të fortë të shteteve demokratike kundër autokracive dhe këtu në kontinentin e Europës fillimisht kundër Federatës Ruse dhe Kremlinit”, tha Kurti.