Në mbledhjen e së mërkurës Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës ka shkarkuar drejtorin e Përgjithshëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqin.
Klan Kosova raporton se në vend të Krasniqit është emëruar ushtruese e detyrës, gjinekologja e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Pranvera Zejnullahu-Rraci.
Sipas burimeve ky vendim vjen pasi që bordi ka shqyrtuar gjetjet e raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, institucion ky që ka evidentuar 14 gjetje të reja ku disa nga këto për të cilat ka vlerësuar se ka elemente të mashtrimit dhe korrupsionit i ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit, gjë për të cilën televizioni ka raportuar ditë më parë.
Pos këtyre, nuk dihet se a ka qenë arsye shtesë edhe rasti i vërshimeve në Kliniken e Onkologjisë, ngase ministri i shëndetësisë Rifat Latifi pati deklaruar për Klan Kosovën, se lidhur me këtë nga drejtoria e SHSKUK-së ishte njoftuar gjashtë ditë me vonë.
Por, kur ishte emëruar në krye të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi?
Krasniqi këtë detyrë e kishte marrë me 6 korrik të vitit 2020, ngase Bordi i SHSKUK-së, në atëkohë në krye me mikrobiologun Xhevat Jakupin e kishin shkarkuar Basri Sejdiun në bazë të gjetjeve të raporteve të brendshme të auditimit, me arsyetimin se ky i fundit kishte keqmenaxhuar, keqpërdorë pozitën zyrtare si dhe kishte treguar performancë të dobët.
Derisa me 4 shkurt të 2021 edhe zyrtarisht Valbon Krasniqi përmes konkursit publik ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i SHSKUK-së, i cili kundërkandidat pati Basri Lenjanin. Ndërkaq, tre konkurrentët e tjerë si, Driton Ukmata, Saudin Maliqi dhe Gani Halilaj u patën larguar nga ky proces në momentin kur Krasniqi ishte futur përsëri në garë, pasi që ky i fundit fillimisht ishte diskualifikuar, meqë nuk e kishte plotësuar kriterin mbi përvojën menaxheriale.
Kujtojmë se muaj më parë deputetë të opozitës përfshirë edhe disa të pozitës nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, patën kërkuar publikisht shkarkimin e Bordit të ShSKUK-së.