Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Greqi këtë të martë.
Ai, njofton Zyra e Kryeministrit, do të marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga The Economist, me temë “Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?”, transmeton KlanKosova.tv.
Siç bëhet e ditur, gjatë qëndrimit në kryeqendrën helene, kryeministri Kurti do të ketë dhe takime bilaterale, por nuk është konfirmuar se për çfarë nivelesh bëhet fjalë.
Vizitat e Kurtit në Greqi kanë qenë të shpeshta, krahasuar me vendet tjera. Hera e fundit që ai ishte atje është gushti i këtij viti.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por për këtë pas shpeshtimit të vizitave dypalëshe, ka pasur paralajmërime se mund të ndodhë.