Robert Wood, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ka bërë thirrje që terroristët serbë përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të mbahen të përgjegjshëm.
Wood theksoi se sulmi i 24 shtatorit zbuloi se qytetarët janë të rrezikuar dhe se në të njëjtën kohë u rrezikuan edhe forcat e NATO-s dhe BE-së, shkruan Reporteri.net.
“ShBA e dënon sulmin e 24 shtatorit. Ishte një akt që zbuloi një rrezik të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve të Kosovës dhe gjithashtu vuri në rrezik trupat e NATO-s dhe BE-së. Duhet të ketë përgjegjësi të plotë bazuar në ligj. Individët që ikën në vendet e treta [Serbi] duhet të ekstradohen ose ndiqen penalisht”, tha Wood.
Ai tutje bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog.
“Ne u bëjmë thirrje palëve për një kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar të BE-së të përgatitur për të ndërmarrë hapa konkretë përpara. Është e rëndësishme që palët të bëjnë përparim në zbatimin e të gjitha angazhimeve të dialogut.”
“Vazhdojmë ta mbështesim dialogun si rruga më e mirë për pajtimin e Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, ka raportuar Reporteri.net.
Po ashtu, Wood theksoi se e ShBA e mirëpresin rritjen e numrit të KFOR-it në veri.
“Kjo prani do të mbahet sa të jetë e nevojshme”.
“Ne e përgëzojmë Policinë e Kosovës për reagimin e tyre ndaj sulmit të 24 shtatorit dhe për koordinimin e ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in si gjatë sulmit ashtu edhe gjatë hetimit”.
“UNMIK-u ka kohë që e ka përmbushur misionin e tij dhe nuk ka më asnjë rol në qeverisjen e Kosovës”, përfundoi Wood.