Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë takimit në Komision Parlamentar tha se Gjykata Kushtetuese është bërë institucion aleat me opozitën.
“Mendoj që Gjykata Kushtetuese është bërë aleat i opozitës. Një përpjekje shumë e vështirë por do të jetë e suksesshme”, ka thënë ajo.
Kjo deklaratë e Ministres së Drejtësisë, vjen vetëm pak ditë pasi PDK-ja ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Këshillin e Pavarur për Shërbimin Civil.
Ndërkaq pikërisht këtë të hënë, në një ceremoni solemne është shënuar 14 vjetori i themelimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, Kryetari i AAK-së Haradinaj ka thënë se Kushtetuesja “vazhdon të jetë gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues”.
“Gjykata Kushtetuese vazhdon të jetë gardiane e mbrojtjes së rendit kushtetues. Funksionimi dhe efikasiteti i këtij institucioni duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë.”, ka thënë ai.
Ndërsa, njerëzit me pushtet në Qeverinë Kurti, vazhdimisht kanë përdorur gjuhë të rëndë ndaj institucioneve të pavaruar, me theks të veçantë Gjykatën Kushtetuese, pasi disa prej ligjeve të përpiluara nga ta s’e kaluan plotësisht ose pjesërisht testin e këtij institucioni. Mosdekretimi i Kryeprokurorit.
Disa nga vendimet më të famshme të kësaj Gjykate
Ligji për Këshillin Prokurorial, anti-Kushtetues
Më 24 mars Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si anti-kushtuetues Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin kërkuar vlerësim të kushtetueshmërisë.
Në njoftimin e publikuar për media, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sqaron se në rendin kushtetues të Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur.
“Thënë këtë, Aktgjykimi sqaron që në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sistemi prokurorial është plotësisht i pavarur. Më saktësisht, Këshilli Prokurorial është pjesë përbërëse e Kapitullit VII të Kushtetutës lidhur me Sistemin e Drejtësisë dhe bashkë me Këshillin Gjyqësor, kanë kompetencën e administrimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, respektivisht dhe pavarësisht ngjashmërive e dallimeve përkatëse, në ushtrimin e funksioneve të tyre, Kushtetuta u akordon të dyjave “pavarësi të plotë kushtetuese”. Aktgjykimi sqaron që kjo pavarësi e plotë kushtetuese, bazuar në nenin 4 të Kushtetutës lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, i nënshtrohet edhe balancimit e ndërveprimit me pushtetet tjera, gjithnjë në përputhje me vlerat demokratike siç janë të përcaktuara në nenin 7 të Kushtetutës.” – thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e publikuar.
Kush janë shkelësit e tjerë të Kushtetutës?
8 prill 2022, një ditë para festës zyrtare, të ditës së Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese doli me një Aktgjykim. Aty u konstatua se ministrja e Qeverisë Kurti II, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën, kur ndali reformën e arsimit në Kamenicë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Nagavci si ministre e arsimit, me vendimin e saj, për ta ndalur këtë reformë, ka tejkaluar kompetencat duke ndërhyrë në punët që bien në kompetencë të nivelit lokal.
Në fakt mbi këtë shkelje kushtetuese, u ndërtua e tërë fushata e partisë së Kurtit e Nagavcit në këtë komunë, me cka e mposhtën nismëtarin e kësaj reforme, Qëndron Kastrati me kandidatin e tyre Kadri Rahimaj.
E kjo nuk ishte hera e parë që Kurti me ekipen e tij “vunë këmbën” mbi Kushtetutën e Kosovës.
Ishte marsi i vitit 2020 kur Kurti vetë ia bëri “sefte” shkeljes.
Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në fillim të pandemisë, pati përplasur fortë dy rivalët e përbetuar politik, e që në atë kohë, të dy, ishin liderë institucionesh. Albin Kurti e Hashim Thaçi, njëri kryeministër e tjetri president, u “kapën” rreth interpretimit të masave anti-covid, me të cilat qeveria kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve.
Për këtë, u kërkua interpretimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarët aty nuk patën dyshime, të gjithë njëzëri, vendosën se masat e ndërmarrura nga Qeveria Kurti I, bien ndesh me dispozitat e Kushtetutës, konkretisht me nenet me të cilat rregullohet Liria e Lëvizjes, E drejta për Tubim, etj.
Qeveria Kurti I, u tregua edhe njëherë e “pamëshirshme” ndaj Kushtetutës.
Këtë herë, rendin e kishte Ministri i Shëndetësisë, atëbotë, Arben Vitia.
Vitia në prill të 2020, pati shpallur komunën e Prizrenit “zonë karantinë”, me cka sipas kushtetueses, Vitia kishte tejkaluar kompetencat e tij, dhe se një gjë e tillë nuk parashihej me ligjet e vendit.
Presidentë e Parlament, shkelën Kushtetutën
Atë që dikush e quan “Bibël e Kuran” e shkelën edhe institucionet tjera më të larta. Kur shkelej nga qeveria, nuk kishte pasoja. Edhe pse, pasojat morale nganjëherë flasin më shumë se ato ligjore.
Megjithatë në rastet kur kushtetutën e shkel Presidenti ose Kuvendi, konsekuencat janë shumë më serioze. Pasojat juridike që prodhon shkelja e tillë, shoqërohet edhe me kriza politike, të cilat në vendin tonë janë parë jo rrallë herë.
Rasti Sejdiu
Ishte shtatori i vitit 2010, vetëm 2 vite pas miratimit të saj, kur Presidenti Fatmir Sejdiu u bë “shkelësi” i parë i Kushtetutës së vendit.
Gjkata Kushtetuese gjeti se ish presidenti Sejdiu, veproi në kundërshtim serioz me kushtetutën, kur mbajti njëkohësisht postin e Presidentit dhe atë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ky vendim nga ana e kushtetueses, e çoi vendin në krizën e parë politike që buroi nga një akt i tillë. Vendi u dërgua në zgjedhje të reja.
Rasti Pacolli
Ekziston një debat, në mes juristësh, nëse Behxhet Pacolli ishte apo nuk ishte ndonjëherë President i Kosovës. Kjo pasi Pacolli, në shkurt të vitit 2011 u zgjodh president nga kuvendi i Republikës, ne raundin e tretë. Post të cilin Pacolli e “gëzoi” vetëm disa ditë. Në mars të po atij viti, pas kërkesës të grupit parlamentar të LDK-së, e mbështetur edhe nga deputetët e AAK-së, për “Vlerësimin e Kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Kosovës” për zgjedhjen në krye të shtetit të Pacollit, u gjet shkelje e kushtetutës, në rastin e votimit të tij në kuvend.
Përsëri krizë, përsëri zgjedhje të reja.
Kuvendi-Qeveria Hoti
Debat i ngjashëm ekziston edhe në lidhje me qeverinë e Abdullah Hotit, i cili në krye të ekzekutivit, qëndroi për pak më shumë se 6 muaj.
Qeveria Hoti, që u zgjodh më 3 qershor, me 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e për zgjedhjen e së cilës, vendimtare ishte secila votë, doli se njëra nga to, nuk ishte krejt e rregullt.
Pas përplasjeve të shumta, në lidhje me zgjedhjen e kësaj qeverie, që përqanë si kurrë më parë, politikën, opinionin e në përgjithësi shoqërinë kosovare, edhe njëherë “sy e vesh” u kthyen kah institucioni që është i thirrur për ta interpretuar kushtetutën.
Më 21 dhjetor 2020, Qeveria Hoti, u bë qeveria e parë që rrëzohet pas një vendimi të gjykatës kushtetuese.
Kjo pasi në aktgjykimin e kushtetueses u gjet se zgjedhja e kësaj qeveria, nga ana e kuvendit ishte kundërkushtetuese.
Vota e deputetit Et’hem Arifi, pro qeverisë Hoti, u cilësua si votë vendimtare për formimin e kësaj qeverie, por e njejta ishte edhe kundërkushtetuese. Kjo pasiqë Arifi ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Kuvendi u shpërbë. vendi shkoi në zgjedhje të reja./Nacionale