Diferencë e konsiderueshme në zgjidhjen e lëndëve është shfaqur mes departamenteve të krimeve të rënda të gjykatave themelore në vend, thuhet në raportin “Sfidat në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të rënda”, të publikuar të mërkurën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, bazuar në monitorimin e trajtimit të lëndëve në gjykatat themelore më 2021.
Sipas IKD-së, gjatë vitit 2021 Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën në Prishtinë ka qenë më i ngarkuari me lëndë, pasuar me atë në Mitrovicë. Gjykata më pak e ngarkuar ka qenë ajo e Gjakovës.
Megjithatë, në numrin e lëndëve të zgjidhura me numrin e gjyqtarëve të angazhuar, DKR-ja në Gjakovë ka dalë si departamenti me efikasitetin më të lartë.
Një gjyqtar mesatarisht ka zgjidhur 7.75 lëndë në muaj. Kjo gjykatë pasohet nga ajo e Prishtinës me 6.15 lëndë të zgjidhura nga një gjykatës në muaj. Pasojnë Mitrovica me 5.22, Ferizaj me 4.42, Peja me 4.4 dhe Prizreni me 4.02. Më së dobëti është Gjilani me 3.61 lëndë të zgjidhura në muaj për gjykatës.
https://permbledhja.com/grate-e-sistemuara-ne-strehimoren-shtepia-e-sigurte-ne-gjakove-gjate-veres-punesohen-me-shume/
“Në këtë mënyrë shohim se mes gjykatave ka diferencë të konsiderueshme sa i përket mesatares së përgjithshme të zgjidhjes së lëndëve. Nuk ka të dhënë nga KGJK apo gjykatat se përse ndodhë një gjë e tillë. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar që kjo çështje të trajtohet nga KGJK, për të përcaktuar shkaqet që sjellin këtë diferencë”, kanë thënë përfaqësuesit e IKD-së në një konferencë për media të mërkurën.
Gjatë vitit 2021 numri i lëndëve të pazgjidhura është rritur për 81 lëndë, sipas raportit. Më 2021 ka pasur më shumë lëndë të pazgjidhura sesa një vit më herët.
Përfaqësues të IKD-së kanë thënë se është vënë re mungesa e dënimit që ua ndalon ushtrimin e funksioneve zyrtarëve.
“IKD ka hasur në raste të shumta kur ka qenë i mundur aplikimi i dënimeve plotësuese, por nuk janë shqiptuar nga ana e gjykatës. Vërehet sidomos mungesa e dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, ka thënë Medina Kadriu, hulumtuese në IKD.
Sa i përket rasteve të vrasjeve, drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se me kthimin e lëndëve në rigjykim, pos kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, familjarët po përjetojnë para trupit gjykues disa herë atë që u ka ndodhur në familje, shkruan EO.
“Tek rastet e vrasjes kemi parë që një numër i madh i këtyre rasteve, qoftë për shkak të neglizhencës, qoftë për shkak të mungesës së guximit të gjyqtarëve, lëndët kthehen në rigjykim. Prej monitorimit tonë këto raste konsiderohen jashtëzakonisht të ndjeshme sepse është një ndjenjë shumë e keqe që një familjar i cili e ka humbur nënën, babanë, vëllain, motrën apo familjarin e afërm e kanë lënë në mes të procesit gjyqësor dy e tre herë”, ka thënë Miftaraj. /Sinjali