Marion: Kosova është në një situatë shumë të komplikuar, e vetmja zgjidhje është dialogu

President i Federatës së Paqes Universale për Evropë dhe Lindje të Mesme, Jacques Marion ka deklaruar se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kosova është në një situatë më të komplikuar dhe e vetmja zgjidhje për të arritur paqe mes dy vendeve, është dialogu.

Marion vlerëson se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet më shumë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin e vetëm që të ketë një zgjidhje të përbashkët.

Ai thotë se në të njëjtën kohë, Kosova mund të organizohet edhe më shumë brenda vendit në nivel të shoqërisë civile dhe mund të organizojë një atmosferë apo një mjedis që mundëson lidhje më të lehtë ndërmjet serbëve dhe kosovarëve.

“Kosova është në një situatë më të komplikuar tani sepse është në mes të një konflikti dhe konflikti është intensifikuar. Dhe kështu mendoj se më së shumti duhet të jetë fokusi në dialog. Dhe dialogu, natyrisht, nuk mund të përfshijë vetëm Serbinë dhe Kosovën, BE-ja duhet të përfshihet shumë, mendoj, siç e përmendën të gjithë, BE-ja duhet të jetë e përfshirë edhe më shumë, e dini, ndoshta e përfshirë pozitivisht në atë dialog. Por mendoj se Serbia dhe Kosova kanë, natyrisht, qëndrime të ndryshme dhe mund të qëndrojnë në qëndrimet e tyre, por kanë edhe interesa të përbashkëta”, deklaron Marion.

Sipas Marion, fokusi duhet të jetë te interesat e përbashkëta dhe jo te qëndrimet e njëanshme.