Ish koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani, në RTV Dukagjini, ka folur për incidentin në shtëpinë e ish kryeministrit Hashim Thaçi në Dragodan, ku kishte hyrë një person i dyshuar, të cilin më pas garda e sigurisë e kishte plagosur.
Përderisa po zhvilloheshin hetimet në atë kohë, Sylejmani ka thënë se ishte ftuar për të shkuar në zyrën e ish zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi
Në atë zyrë, sipas Sylejmanit, të pranishëm ishin ish kryeministri Thaçi, Hajredin Kuçi, Fatmir Limaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Xhelili.
“Ka qenë data 8 qershor 2008. Isha i ftuar nga komisari i policisë, Sheremet Ahmeti që urgjent të shkojë në zyrën e zëvendëskryeministrit, Hajredin Kuçi, në Qeveri, sepse kam qenë përgjegjës i hetimeve me gradën e gjeneralit. Shpejt kam shku, sepse ne gjithmonë e kemi pasur veturën në thirrje, kam hyrë në qeveri jam ngjitur në katin e katërt ku e ka pas zyrën Hajredin Kuçi, me të jemi njoft edhe ma herët sepse ka qenë zyrtar policor dhe kam qenë epror i tij dhe sot e kam mik e shok. Kur kam hyrë i kam gjet komplet Sheremet Ahmetin, kryeministrin Thaçi, Fatmir Limajn, Zenun Pajazitin, Fatmir Xhelilin, Agron Nezën dhe Veton Elshanin. Pa e dit se çka është bisedu aty, çfarë tensionimi ka brenda , kam hyrë i ftum. I kish tri ditë që kishte ndodhur një sulm në Dragodan, në shtëpinë ku ishte duke banuar kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, ku një person i ri kish ndërhy deri në shtëpi, ishte afru deri në katin e dytë ku e kishin dhomën e ndejës dhe garda e sigurisë ka reagu dhe e u plagos ai person. Fatmirësisht ai është dorëzuar dhe na tu i zhvillu hetimet, incident i rëndë ka qenë me u sulmu shtëpia e kryeministrit dhe normal që na ishim çdo ditë me prokurorin e lëndës, Span Mehmeti”, është shprehur ai.
Ish koloneli ka treguar se çfarë i kanë thënë në momentin që ka hyrë brenda në zyrë.
“Kam hyrë në një sallë të madhe e ndejës, ishin të gjithë të ulur dhe m’u ka drejtu Hajredin Kuçi dhe thotë ‘z. Gjeneral keni bërë gabim të rëndë në hetime’. Nuk e prita atë pyetje aty, se nuk ishim në prokurori, por thashë ‘kam dëshirë me dit ku i kam bërë gabimet se une veç sa po vi nga departamenti dhe çdo gjë që është duke u punuar është në rrugën më të mirë të mundshme të zbardhet çdo gjë, por na duhet kohë që të vijmë në konkludim final se çka ka ndodh’. Edhe pe shoh që po e lexon një komunikatë shtypi, në të cilën një ditë më herët e kishte dhënë zyra e mediave, Veton Elshani, ku ka thënë se pas hetimeve kemi arritur ta arrestojmë një person të dyshuar me këtë emër dhe sipas hetimeve preliminare tregojnë se ai person i dyshuar ka një precedent prej nëntë lëndeve, kish pas lëndë të ndryshme, ma shumë vjedhje, dhe i njëjti gjatë intervistimit ka deklaruar se ka hyrë në atë shtëpi por nuk e ka ditur se kujt i takon, ka hyrë me qëllim të vjedhjes.”
Pasi i është lexuar ajo komunikatë, Sylejmani thotë se Hajredin Kuçi i ka thënë që i dyshuari ka hyrë për ta vrarë kryeministrin.
Më pas, Sylejmani ka kërkuar nga ta që të mos “përzihen në hetime”.
“Kur mu lexu ajo, i kam thënë zotëri Hajredin Kuçin ‘po më duket po lexoni komunikatë për shtyp a kallëzim penal se nuk e di çka po diskutojmë’. Tha ‘komunikatë për shtyp, jeni kanë të anshëm, se ai ka hy me vra kryeministrin’. I thashë që komunikata për shtyp është hetim preliminar dhe e kemi obligim me dhënë informacione. I kam thënë aty ‘ndihma më e madhe është mos me u përzi në hetime, na lejoni të punojmë, se qysh po më merrni në pyetje këtu e po humbim kohë, nuk duhet të rrijmë këtu por e kemi vendin atje të punojmë’”
Ai tha se i ka siguruar ata që hetimet po zhvillohen “në mënyrën më profesionale të mundshme dhe jemi në rrugë të shkëlqyeshme” që të zbardhet ngjarja.
Sipas Sylejmanit, qëllimi i tyre ishte që t’i japin kahje tjetër hetimit për incidentin që kishte ndodhur në shtëpinë e Thaçit.
“Qëllimi ishte, unë çka kam marrë vesh pastaj por edhe sa isha aty, t’i japin kahje tjetër hetimit. E them me shumë siguri, ka qenë një ngjarje e rëndë për mua në atë kohë, të prodhojnë diçka të paqenë, psh. në atë kohë kanë qenë raportet e PDK’së dhe AAK’së tepër të elektrizuara dhe tentonin që ta fajësojnë liderin e Aleancës, z. Ramush Haradinaj, se ai qëndron mbrapa këtij sulmi. Dojshin me prodhu diçka të tillë përmes hetimeve të policisë dhe unë u detyrova në takim t’ua them haptas që ‘derisa të jem në krye të atij institucioni hetim të porositur nuk do të keni shancë të merrni, hetimet do të shkojnë vetëm konform dëshmive, fakteve’.
Sylejmani thotë se më pas Fatmir Limaj e kishte sharë “me nënë, baba e familje”.
“Pastaj ata nuk kanë bë zë, por mu ka drejtuar Fatmir Limaj, ministër ka qenë në atë kohë, dhe tha ‘zotëri, ti je ardhë me na mbajt ligjëratave këtu neve, po na tregon se çka duhet me bo na a’, unë i thashë ‘kush jeni ju me mu drejtu me këto fjalë, nuk je ministër i policisë as i punëve të brendshme, që ku është ministri, as ky nuk ka të drejtë’. Atëhërë u çu në këmbë dhe me fjalën më banale të mundshme me nanë e me babë e me familje mi ka sha, që nuk është ngjarje e lehtë me përballu. Jom cu edhe unë edhe e kam lëshu atë takim, jam nal te dera edhe iu kam thënë ‘hetimin nuk keni shanca me orientu dikah tjetër se nuk e keni atë mandat dhe nuk iu lejoj’”, tha ai.