Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka quajtur të vështirë takimin me pesëshen e emisarëve që vizituan paprakisht Kosovën. Emisari evropian, Miroslav Lajçak në anën tjetër, është shprehur se presin bashkëpunimin e plotë të Beogradit.
Siç shkruan “N1”, Vuçiq ka deklaruar që ky ishte një takim i vështirë dhe se “pret takime të rëndësishme në Bruksel gjatë ditëve në vijim”.
Lajçak në anën tjetër, sipas këtj mediumi ka deklaruar që nuk ka të ardhme për Kosovën e Serbinë në Bashkimin Evropian pa implementimin e marrëveshjes së arritur së fundi, dhe të gjitha atyre që janë arritur më parë.
Të dy takimet, si ai me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin Aleksandër Vuçiq, kanë qenë shumë të rëndësishme sipas tij.
“Kemi shprehur shqetësimin tonë për zhvillimet negative në procesin e normalizimit, i cili është i lidhur direkt me rrugën e Kosovës dhe Serbisë në BE.” – ka thënë ai.
“Ne e denojmë fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Të gjithë përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë, dhe presim bashkëpunim të plotë nga Serbia.” – është shprehur tutje Lajçak.
Po ashtu, emisari evropian zbuloi që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë temë e takimit të krerëve të diplomacisë evropiane të hënën, dhe po ashtu, më vonë rreth kësaj çështje do të bisedohet edhe në Këshillin Evropian.
“Kjo vizitë do të ndikojë në këto diskutime.” – ka thënë Lajçak, duke u cituar më pas në vazhdim se “nuk ka të ardhme për Serbinë, e aq më pak për Kosovën në BE pa normalizimin e marrëdhënieve”.
Ndërkohë, gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak u shpreh se Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe është kërkesë parësore e bashkësisë ndërkombëtare dhe “nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës pa themelimin e saj”.
“Si kryeministër i Kosovës, kryeministri Kurti ka përgjegjësi të bëjë progres për normalizimin e raporteve nëse Kosova dëshiron të bëjë progres drejt Bashkimit Evropian. Dhe këtu duhet ta theksojmë nevojën për të lëvizur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe pa vonesa të tjera. Pa këtë (themelimin e Asociacionit) nuk do të ketë progres në rrugëtimin evropian të Kosovës. Ne çmojmë gatishmërinë e Kurtit për të vazhduar diskutimet tona së shpejti.” – tha Lajçak.
Pyetur nga gazetarët se a sollën sot para Kurtit ndonjë plan se si do të duket dhe do të bëhet ky Asociacion, Lajçak siguroi se kanë plan por se – tash për tash – nuk mund të futet në detaje.
“Ne gjithmonë kemi plan, kemi plan, dhe diskutuam planin me Kurtit dhe do ta diskutojmë me Vuçiqin, që do ta kuptoni më vonë. Por, se në këtë pikë nuk do të futem në detaje. E dyta nuk ka alternativë dialogu” – tha emisari evropian.
“A ke marrë anën e Serbisë (siç ka thënë Kurti)?.” – e pyeti gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, më pas.
Lajçakut i doli në krah këshilltari i vetë Presidentit të Francës, Emmanuel Macron – Emmanuel Bonne – duke bërë me duar në tërë pesëshen diplomatike – duke nënkuptuar me gjestin që ka anën evropiano-amerikane e jo të Serbisë.
“Unë kam anën e Bashkimit Evropian. Me Kurtin u përqendruam në substancën në takimin e sotëm” – tha Lajçaku.