Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, thotë se pesëshja diplomatike që u takua me kryeministrin Kurti sot, ka folur me ultimatum.
Sipas Xhemailit, VV siç i përbiu parimet për të cilat ranë Mon Malaj e Arben Xheladini, do t’i përbijë edhe parimet për të cilat ra heroi Afrim Bunjaku.
“Pesëshja diplomatike paska folur me ultimatum. Përpëlitjet e Albin Kurtit për vendosje të rendit dhe ligjit u zhveshën sot dhe u kuptua se Albini as që ka pas haber për sulmet në veri, dhe integritetin territorial ja kemi borxh amerikanëve. Po atyre amerikanëve që VV i pati sulmuar ambasadoren e po atyre amerikanëve që militantët e paguar të VV-së bëjnë luftë virtuale kundër tyre. Ashtu siç VV sakrifikoi gjakun e Mon Balajt e Arben Xheladinit e pastaj një nga një përbiu parimet mbi të cilet ranë këta trima, në atë mënyrë do ta përbijë parimin e mbrojtjes së veriut mbi gjakun e heroit, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Xhemaili.
Sipas tij Albin Kurti i ka dy zgjedhje, të dalë në zgjedhje ose ta pranojë Asociacionin.
“Sot, Albini e fshinë historinë e shtetndërtimit me gomën e dështimit të makinerisë virtuale e cila afatin e skadimit e ka të garantuar. Albin ‘trimi’ i ka dy opsione; ose të dalë në zgjedhje e ta shtrydhë këtë populizëm në mbledhje të votës me mashtrim, ose ta pranojë planin e një asociacioni i cili është bërë gogol i ushqyer nga amatorizmi politik i kryeministrit”, ka shkruar tutje ai.
Sipas Ismailit, rrëzimi i Kurtit do të jetë po aq i fuqishëm sa ngritja e tij.
“Kështjella e tij prej letre e ndërtuar mbi korrupsionin e Martinit, Nagipit e Ridit do të digjet mu nga gacat e këtyre tradhtarëve të korruptuar”, ka shkruar tutje Xhemaili.