Dejan Pantiq, ish-zyrtari policor që dyshohet të ketë sulmuar me mjete shpërthyese zyret e KQZ-së në Mitrovicë, është liruar gjatë ditës së sotme.
Arsyeja e lirimit ka qenë dorëzania prej 30 mijë eurove që i njëjti i ka paguar.
Ky vendim duket që mos t’i ketë pëlqyer qeveritarëve, pasi në orët e mbrëmjes kanë vendosur të hedhin akuza në drejtim të gjyqësorit.
Fillimisht, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në “Facebook-u” ka shkruar se të gjithë kriminelët, të cilët sulmuan policinë dhe cenuan rendin kushtetues, gjykata i ka liruar me dorëzani.
“Si ka nisur kështu, nuk është larg mendsh nëse edhe terroristët e sulmit terrorist të 24 shtatorit t’i lirojnë me dorëzani. Kjo veç drejtësi nuk është! E papranueshme”, ironizoi ajo.
Haxhiu i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës, t’i trajtojë këto raste dhe të mos lejojë keqpërdorimin e dorëzanisë.
Në anën tjetër, ninistri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një reagimi në rrjetin identik social ka shtuar se Policia arreston terroristët, këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani.
“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka deklaruar Sveçla.