Partia Demokratike e Kosovës sot e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili është miratuar javën e kaluar.
Sipas koordinatorit për Drejtësi në PDK, Përparim Grudës, ka dyshime që Qeveria duke bërë ndryshime në këtë ligj, e ka shkelur Kushtetutën.
“Sot në Gjykatën Kushtetuese e dorëzuam kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KMSHCK-së. Ne siç e dini pothuajse në fillim të këtij mandati e kemi kontestuar shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli në Gjykatën Kushtuese dhe kjo gjykatë na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucione. Fatkeqësisht ky Ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë Gjykata në atë vendim paraprak prandaj ne sot i kemi kontestuar prapë ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj”– ka deklaruar Gruda.
Sipas tij, këto ndryshime kanë për qellim ta kapin organin e pavarur kushtetues, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon punësimet e militantëve dhe familjarëve të VV-së.
“Këto ndryshime e kanë vetëm një qëllim. Ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, përkrahë, nuk i ndalon punësimet politike, partiake, të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”- tha Gruda.
Ndërsa avokati i PDK-së, Faton Fetahuka thënë se janë të paktën katër shkelje të këtij ligji të cilat PDK i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.