Dejan Pantiq, ish zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e KQZ – së, është liruar nga arresti shtëpiak.
Ai është liruar përmes deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gashi ka thënë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e Prokurorisë Speciale.
“Me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro”, ka thënë Gashi për Paparacin.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 Euro”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë.
Pantiq u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.