Lidhja e dashurisë mes ish-miss Kosovës dhe biznesmenit të njohur, përfundoi me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga ana e Berishës, e cila arriti ta shantazhojë biznesmenin për dy vjet me radhë, duke e kërcënuar se do t’ia dëmtojë nderin dhe autoritetin e tyre.
Sinjali mëson se gjithçka dyshohet se nisi në verën e vitit 2021, kur raportet mes tyre u krisën dhe doli në pah qëllimi që dyshohet se kishte Zana Berisha, ndaj të dashurit të saj, me të cilin mbajtën lidhje të fshehur. Shantazhi, dyshohet se ishte forma me të cilën ajo kishte synuar që ta kryejë këtë “punë” – duke kapur në total hiç më pak se mbi 100 mijë euro para të gatshme.
Me qëllim që të përfitojë materialisht, Zana vendosi që përmes kërcënimeve nga më të ndryshmet, ta detyrojë biznesmenin që të veprojë në bazë të kërkesave të saj, duke e kushtëzuar me publikimin e fotografive e video-incizimeve intime të tyre, që ajo i kishte realizuar gjatë kohës sa po shijonin lidhjen e dashurisë.
Siç ka mësuar gazeta nga të njëjtat burime, fillimisht gjatë verës në vitin 2021, derisa e dyshuara ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka kërkuar nga viktima 100 mijë euro, me arsyetimin që ato të holla i duhen për të jetuar dhe plotësuar nevojat e saj.
Me këtë rast, pra herën e parë, biznesmeni mendoi se do ta përfundonte lidhjen duke refuzuar t’ia dërgonte paratë, por aty vetëm sa filloi drama.
Ish-missi vendosi që t’i hakmerret me kanosje, e madje ka shkuar edhe më tej, duke ia dërguar familjarëve të tij fotografi dhe video-incizime ku ata shiheshin bashkë, si sinjal që ta paralajmërojë biznesmenin se në rast se vazhdon të mos veprojë siç ka kërkuar ajo, do ta pësojë sërish.
Muajt e fundit të atij viti kanë shkuar në këtë formë, derisa e dyshuara është kthyer nga Amerika në fillim të vitit 2022 dhe dyshohet se ka vazhduar ta shantazhojë biznesmenin, me të cilin nuk arriti të merrej vesh nga distanca.