Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka përgëzuar Parlamentin Evropian për votimin e rezolutës me anë të së cilës e dënuan sulmin terrorist në Banjskë.
Tahiri tha se është e rëndësishme që të gjithë akterët politikë të kenë një angazhim më të madh në nxjerrjen në pah rreth sulmit terrorist të sponsorizuar nga Serbia.
“Është për keqardhje qëndrimi nga 24 shtatori i Qeverisë së Kosovës karshi shteteve dhe raporteve që i kemi në raport me këtë çështje. Sot do të duhej që Kurti t’i kërkonte Shqipërisë, e cila është anëtare e Këshillit të Sigurimit që bashkë me shtetet që e kanë njohur Kosovën të angazhoheshin dhe të kenë një seancë të Këshillit të Sigurimit”.
“Nga 15 shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit, nëntë nga to e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Jemi në një pozicion shumë të favorshëm por këtu mungon një komunikim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që Këshilli i Sigurimit të ketë një debat në lidhje me sulmin terrorist që e ka sponsorizuar Serbia”.
“Është për keqardhje raportin të cilin e ka sjellur kryeministri ynë me Shqipërinë, deri në atë pikë që sot s’mund t’ia kërkojë as edhe një gjë të tillë. Pra, kjo situatë na zë neve në një situatë shumë të favorshme ndërkombëtarisht”, tha Tahiri, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që t’i kërkojë Shqipërisë një angazhim më proaktiv për këtë çështje, teksa tha se deputetët e Kosovës duhet të jenë më kërkues ndaj qeverisë që të jetë më e pranishme në arenën ndërkombëtare.
“Është një çështje që duhet sa më shumë të ekspozohet, të ketë vizita sa më shumë të ministres së Jashtëm, të kryeministrit, zëvendëskryeministrave në mbarë botën që të prezantohet ajo që ka ndodhur në vendin tonë”, tha ai.