Faton Peci: Rezultati i sondazheve të shtatorit katastrofal për opozitën, koalicioni VV-Guxo mbi 50 për qind

Kryetari i Listës Guxo, Faton Peci, njëherit Ministër i Bujqësisë ka thënë se nga matjet e fundit të opinionit publik rezulton se partitë opozitare janë shumë keq me përkrahje nga qytetarët.

Sipas tij, partitë e mëdha opozitare janë “në pikën më të ulët prej se ekzistojnë në historinë e formimit të tyre”.

“Sondazhet që i kemi ne besoj që i kanë edhe partitë opozitare. Matjet e fundit të qershorit dhe shtatorit, partitë opozitare duke përfshi LDK-në, PDK-në dhe AAK-në, janë në pikën më të ulët prej se ekzistojnë në historinë e formimit të tyre”.

“Sondazhi i qershorit ka qenë shumë i keq për opozitën, i shtatorit krejt katastrofal. LDK-ja dhe PDK-ja bashkë, janë diku nën 30% në nivel të Kosovës. Në dy-tre palë zgjedhjet e fundit, matjet e opinionit kanë tregu se pak ka pasë ndryshim në aspektin e përqindjes”.

Koalicioni VV-Guxo, tha se aktualisht është mbi 50 përqind.

“Ne jemi mbi 50%. Është pika më e lartë e përkrahjes qytetare prej që e kemi pasë partneritetin në vitin 2021 e deri tash”.

Ndërkohë, Peci shtoi në ATV se ndonëse kanë bashkëpunim të mirë me LVV-në, s’e kanë problem as kandidimin e pavarur në zgjedhjet e reja.

“Guxoja, në aspektin e strukturimit, është edhe ma mirë ku kemi qenë në vitin 2021. Kontributi i Listës Guxo në zgjedhjet e ardhshme do të jetë më i madh se në zgjedhjet e kalume. Ne kemi partneritet të shkëlqyeshëm me Vetëvendosjen”.