Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli ka kritikuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i përmendur votimin për Gjykatën Speciale.
Përmes një postimi në Facebook, Avdyli ka thënë se deputetët e PDK-së kanë votuar Gjykatën Speciale si dhe marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Po të ishin kaq të vendosur këta deputetët e PDK – së për të mos votuar Gjykatën speciale, e po aq të vendosur që mos ta miratonin marrëveshjen për Asociacionin Serb, ndoshta edhe ua kishim fal kokëfortësinë për mosvotimin e 350 milionëve nga marrëveshjet ndërkombëtare”.
“Në dy rastet votimet i kanë të dëmshme për qytetarët, por dëmin që i kanë bërë funksionalitetit të shtetit tonë me votimet e marrëveshjeve me Serbinë janë më të kushtueshme edhe se miliarda euro. Mos qofsha në lëkurën e tyre.” – ka thënë Avdyli.
Mirëpo, i njëjti më sa duket ka harruar që edhe ish-shefja e tij, Vjosa Osmani kishte votuar pro Gjykatës Speciale.
Osmani në atë kohë si deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte mbajtur një fjalim pasionant dhe kishte argumentuar pro ndryshimeve Kushtetuese për krijimin e Speciales.