Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka bërë të ditur se ka ushtruar kallëzim penal në Prokurori dhe njëkohësisht padi civile në Gjykatë kundër gazetarit Lirim Mehmetaj.
Basha ka shkruar se padia civile lidhet me akuzat e Mehmetajt se Basha është treguar racist ndaj rajonit të Drenicës.
“Këto shpifje kanë shkaktu mosdurim dhe urrejtje ndaj meje tek shumë qytetarë, ku edhe kam pranu shumë kërcënime e fyrje nga ata që janë lajthitur dhe i kanë besu shpifjeve të sojit të tij të paskrupullt”, ka shkruar Basha në Facebook.
Përveç se shpifje, Basha ka thënë se deklaratat e Mehmetajt janë manipulim i opinionit publik për nxitje të urrejtjes ndaj tij.
“Prandaj, edhe kam deponu Kallëzim Penal dhe uroj që Prokuroria të merret urgjentisht me rastin meqenëse deklaratat e tij përveçse janë shpifje, janë gjithashtu formë e manipulimit të opinionit publik për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit ndaj meje, pra të gjitha këto elemente të veprës penale sipas Kodit Penal”, ka shkruar Basha.