Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, përmes një statusi të gjatë ka listuar shtatë “dështimet” e Qeverisë së Kosovës në sundimin e ligjit, pasi kryeministri Albin Kurti, theksoi se për dy vjet e gjysmë qeverisje ka mbizotëruar sundimi i ligjit.
“Lexova statusin e Kryeministrit Kurti. Dy herë. Herën e parë, e lexova me pritjen që do të flas për atë që ka premtuar: reformat në drejtësi, (ç’)kapjen e sistemit të drejtësisë, fuqizimin e sundimit të ligjit e demokracinë”, shkroi ajo në Facebook.
“Herën e dytë, e lehtësuar pak që as nuk është munduar të propagandojë se ka bërë gjë për të lartcekurat, e lexova ta kuptoj për çka ka shkruar”.
Ajo e ka kritikuar Kurtin, pasi deputetët e partisë së tij – Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë në dy seancat që dështuan në Kuvend, ku ishte në rend dite të miratohej një rezolutë për Policinë e Kosovës.
“Policinë e njëjtë ndaj të cilës nuk morën pjesë as në debat për rezolutë. Policinë e njëjtë për të cilën i kujtohet t’ia mëvetësoj sukseset si të qeverisë, por jo ta mbështes përveç me emocione të zëna mundësisht në fotografi që duken si spontante”.
Deputetja e LDK-së ka shtuar se “ka dhe shumë dështime të tjera të Qeverisë”, por ka potencuar se “po lodhem unë duke shkruar, e tjerët duke lexuar”.
“Në kam arritur të mësoj një gjë nga studimet e përvoja juridike, është që kjo Qeveri hyn në shembujt tipik të asaj se si nuk duken sistemet demokratike që fuqizojnë sundimin e ligjit, saksisht si duken ato që zhbëjnë demokracitë në autokraci”, ka shtuar ajo.
Ndonëse ka pasur kritika të vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, sidomos për punën e Prokurorisë në përgjithësi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për dy vjet e gjysmë qeverisje në Kosovë ka mbizotëruar sundimi i ligjit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti, ka bërë bilancin e sukseseve të Qeverisë së udhëhequr nga ana e tij në raport me ligjshmërinë në vend.