Musliu: Kurti nuk ka guxim ta informojë publikun se Kosova ka humbur 300 milionë nga sanksionet

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu vlerëson se kryeministri Albin Kurti po e manipulon opinionin publik përmes “populizmit ekstrem”.

“Arma e Albin Kurtit për të manipuluar opinionin publik nuk është as nacionalizmi dhe as patriotizmi. Të mos flasim fare për profesionalizëm, sepse profesionalizmi dhe Albini janë dy botë të kundërta. Arma e tij e vetme dhe e shëmtuar është populizmi ekstrem. Por kjo armë e shëmtuar dhe e dëmshme me të cilën ai demonizoi kundërshtarët politikë dhe shkatërroi shpresat e shumë qytetarëve të Kosovës ka filluar të ndryshket”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Ajo tutje ka shkruar se Kosova ka humbur miliona euro nga sanksionet perëndimore teksa për këtë shton se kryeministri Kurti nuk ka guxim ta informojë publikun.

Sipas saj, Kurti nuk pati guximin të prononcohej as për humbje të tjera të vendit, shkruan lajmi.net.

“Së fundi, ai ironizoi shtypjen e opozitës, por nuk pati guximin ta çonte vendin në zgjedhje. Albini po bojkoton opozitën dhe po përpiqet të demonizojë opozitën për dëmtim të buxhetit, për mos votim të marrëveshjeve ndërkombëtare, por nuk ka guxim të informojë opinionin se nga sanksionet që ka pësuar kjo Kosovë,  ka humbur rreth 300 milionë euro si pasojë e paaftësisë së qeverisë së saj. Albini nuk pati guximin të prononcohej para opinionit as për humbjen e investimit mbi 1 miliard euro të Countur Global dhe dëmin prej 20 milionë eurosh para gjykatës së arbitrazhit si pasojë e paaftësisë së tij politike”, ka shkruar Musliu.