Rusia po minon përparimin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor duke kryer operacione në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, dhe qeveria britanike duhet të marrë përgjegjësi më të madhe dhe të mbrojë paqen në atë rajon më shumë se kurrë, në mënyrë që vrasjet masive dhe përdhunimet si në vitet 1990, theksuan njëmbëdhjetë Lordë britanikë në fjalimet e tyre.
Debati në Dhomën e Lordëve të Parlamentit Britanik është iniciuar të martën, më 17 tetor, nga baronesha Arminka Heliq (Helić), raporton REL në gjuhën serbe, transmeton Klankosova.tv.
Heliq, anëtare e Partisë Konservatore që aktualisht është në pushtet në Mbretërinë e Bashkuar, ka lindur në Graçanicë në veri të Bosnjës, prej nga iku në Britani gjatë luftës në vitet 1990. Ajo u emërua në Dhomën e Lordëve në vitin 2014 me sugjerimin e ish-kryeministrit britanik David Cameron dhe është anëtare e Komitetit të Punëve të Jashtme.
Ajo pyeti Qeverinë e Lartësisë së Tij nëse politika evropiane në Ballkanin Perëndimor ia del të arrijë qëllimin e saj. Ajo kujtoi sulmin e fundit në Kosovë dhe tha se në dhjetë vitet e fundit liderët e Republikës Sërpska janë përpjekur të dobësojnë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Heliq tha se lidershipi i këtij entiteti po përpiqet të krijojë parastruktura dhe se kërkon të forcojë vijën e demarkacionit administrativ si një kufi i fortë me synimin për shkëputje përfundimtare.
Për Serbinë, ajo tha se nuk ka asnjë dëshmi se është partnere në ruajtjen e paqes së fituar me vështirësi. Ajo për presidentin serb Aleksandar Vuçiq tha se ai nënshkruan marrëveshje që më vonë nuk i respekton, se armatoset duke blerë dronë nga Kina dhe Irani dhe pyeti Ministrinë Britanike të Mbrojtjes nëse janë në dijeni për këtë.
Ajo theksoi se paqja në Ballkan është minuar nga Rusia, e cila përhap informacione të rreme në të gjithë rajonin dhe shpesh shfrytëzon Kishën Ortodokse Serbe. Ajo bëri thirrje për forcimin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, KFOR-it në Kosovë, si dhe EUFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Tashmë është dërguar një ftesë për trupat britanike për të forcuar EUFOR-in, mandati i të cilit duhet të zgjatet muajin e ardhshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Nëse Rusia ose Kina vënë veton, ne duhet të jemi gati që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) të marrë rolin e saj”, tha ndër të tjera Heliq.
Baronesha Mary Goudie nga Partia e Punës tha se rreth 100,000 njerëz u vranë në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës dhe miliona u zhvendosën. Ajo vlerësoi se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit e vitit 1995 e ndaloi luftën, por se BeH mbetet me probleme serioze strukturore.
“Aktualisht ka një ngërç në BeH dhe atë që Komisioni Evropian e quan polarizim të thellë politik. Paqja duhet të mbrohet nga nacionalizmi”, tha baronesha Goudie. Ajo vlerësoi se diskursi politik në Bosnje dhe Hercegovinë është i “ngjyer me gjenocid”.
“Kriminelët e luftës lartësohen si heronj në klasa, media, fjalime publike. Viktimat e mbijetuara të luftës janë të stigmatizuara”, tha ndër të tjera baronesha Goudie dhe theksoi se nevojiten investime në infrastrukturë, arsim, zhvillim ekonomik dhe i bëri thirrje qeverisë britanike që të mbrojë parimet kryesore të Marrëveshjes së Dejtonit.
Lordi John Alderdice nga Partia Aleate e Irlandës së Veriut tha se ishte në Sarajevë, ku siç tha ai, trashëgimtari austro-hungarez i fronit u vra dhe filloi Lufta e Parë Botërore.
Ai tha gjithashtu se Rusia dhe Kina po përfitojnë nga konfliktet në rajon dhe se qeveria britanike dhe Evropa duhet t’i kushtojnë vëmendje situatës së përkeqësuar në BeH dhe në Ballkan.
Konti nga Sandwichi (qytet në Mbretërinë e Bashkuar), John Edward Hollister Montagu, një përfaqësues i pavarur, tha se komuniteti ndërkombëtar “dështoi kur u krye gjenocidi në Bosnje dhe Kosovë”.
“Shpresoj që ushtria britanike të jetë e gatshme të dërgojë trupa në Ballkanin Perëndimor nëse është e nevojshme. Fatkeqësisht, ne duhet të pranojmë se OKB-ja nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, tha Konti i Sandwichit.
Lordi Patrick Thomas Cormack nga Partia Konservatore tha se ai kujton fillimin e viteve 1990 “kur në këtë Dhomë kishte paralajmërime për vrasje masive dhe përdhunime, masakrën e mijëra burrave dhe djemve në gjenocidin në Srebrenicë”.
“Duhet të kishim nxjerrë një mësim. Sot ekziston një rrezik i vërtetë sepse jetojmë në një kohë që është më e rrezikshme se çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore. Kohët e fundit kam qenë në Sarajevë dhe situata në Bosnje sot është më e rrezikshme se në fillim të viteve 1990”, tha ndër të tjera Lordi Cormack.
Ai vlerësoi se Rusia “nuk turpërohet nga krijimi i problemeve”.
“Ne duhet të pranojmë se kontinenti ynë i Evropës, i cili u bashkua gjatë gjithë këtyre viteve pas Luftës së Dytë Botërore, është në rrezik të madh. Nuk duhet të harrojmë rrezikun e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor. Ekziston një rrezik real që Rusia të përdorë Serbinë për të destabilizuar totalisht Bosnjën dhe Hercegovinën, për të mbështetur shkëputjen e Republikës Sërpska, e cila nuk është e mundur në asnjë kusht”, tha ndër të tjera Lordi Cormack.
Lordi Donald Anderson i Swanseat, anëtar i Partisë Laburiste, tha se pas Dejtonit në 1995, shumë vende u ftuan dhe iu bashkuan BE-së.
“Më pas ministri grek më tha se problemi i Ballkanit Perëndimor ishte i zgjidhshëm, por 20 e më shumë vite më vonë shohim që nuk është. Edhe termi Ballkan është bërë fyes. Kroacia dhe Sllovenia, të cilat u bënë anëtarë të NATO-s dhe BE-së, nuk duan të klasifikohen atje”, tha Lordi i Swanseat.
Ai vlerësoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, ashtu si edhe presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik.
“Si e sheh qeveria britanike, pozitivisht apo negativisht? Si i sheh ajo njoftimet për shkëputjen e Republika Sërpskas”, pyeti Lordi i Swanseat.
Fjalime të ngjashme u mbajtën nga Konti i Dundee, Alexander Scrymgeour nga Partia Konservatore, Lordi i Ladyton Desmond Henry Browne nga Partia Laburiste Skoceze dhe Lordi Jeremy Purvis i Tweed nga Demokratët Liberalë Skocezë.
Lordi Ray Edward Harry Collins i Highbury nga Partia Laburiste dhe Lordi Tariq Mahmood Ahmad i Wimbledon nga Partia Konservatore folën gjithashtu.
Në fjalimin e tyre, të gjithë përmendën ndikimin e Rusisë në rajon, për të cilën Ahmad tha se “ngjall konflikte në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”. Lordi Purvis i Tweed tha se në Ballkan “është krijuar një vakum sigurie që do të përdoret nga ata me motivet më të këqija”.