Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës deklaroi se lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka kërkuar koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas saj, këtë e ka kërkuar me arsyen me SHBA-të janë pajtuar se lidhur me këtë çështje do të respektohet çdo normë e Kushtetutës së Kosovës.
“Kam kërkuar që të rritet roli i SHBA-ve duke kuptuar që procesi formal kryhet në Bashkim Evropian, kryhet në Bruksel, ajo çfarë kam kërkuar unë është që të shtohet edhe një hap, hapi i koordinimit të plotë të çdo veprimi, të çdo shkronje me SHBA-të sepse me ata kemi pajtim të plotë se si do të duket, e ajo është respektimi i çdo norme, çdo shkronje dhe frymës së Kushtetutës sonë”, tha Osmani në një intervistë në “Tempus”.
Tutje, Osmani tha se një dakordim të tillë nuk e kanë me BE-në.
“Arsyeja pse unë e shoh rolin e Shteteve të Bashkuara kyç në këtë proces, është për shkak se me SHBA-të kemi dakordim të plotë për katër parimet: Kushtetuta e Kosovës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2015-ës, Letra e Mogherinit dhe Op/Ed-i amerikan nga Escobar. Me BE-në akoma nuk kemi një dakordim të tillë, po flas për ndërmjetësit”, tha Osmani.
Presidentja e përmendi edhe takimin e 2 majit në Bruksel, ku kishte potencuar se ka pritur që Kosova ta ketë draftin e saj e jo të lejojë drafte nga ekipet menaxhuese serbe që sipas saj janë draft i Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Më 2 maj, kur ishte takimi në Bruksel pata bërë deklaratë publike që kam pritur që Kosova ta ketë draftin e saj e jo të lejojë që drafti i të ashtuquajturit ekip menaxhues serb, që në fakt është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e diskutimeve sepse kjo automatikisht pastaj na vendos në pozitë të pavolitshme”, tha Osmani.