Flasin ekspertët: Një anëtar i BE-së nuk mund ta pezullojë liberalizimin e vizave për kosovarët

Një gabim në përkthimin e fjalëve të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ka “tronditur” sot kosovarët. Për disa qaste u menduar se Franca ka pezulluar procesin e liberalizmit të vizave për kosovarët. Por, shpejt u sqaruar se përkthyesja kishte përkthyer gabimisht.

Megjithatë, deklarata e Macronit në Tiranë kanë nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Njohësit e integrimeve evropiane kanë treguar se një vend anëtar i BE-së nuk mund ta pezullojë procesin e liberalizimit të vizave.

Ata kanë bërë me dije se për këtë çështje duhet të merret parasysh qëndrimi i të gjithë vendeve anëtare të BE-së.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shaha, ka theksuar se Macron duhet të sqarohet nëse ka ndonjë qëndrim të ri lidhur me vizat. Por, sipas tij, nuk ka mundësi që veç Franca të pezullojë liberalizimin e vizave.

Sot këshilla kryesore diplomatike për Kosovën është: buzëqesh dhe mos thuaj asgjë. Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta të shtëpisë dhe mund të rri komod për liberalizimin e vizave. Ne veç jena tu e prit të buzëqeshur 1 janarin 2024. Eh tash nëse Presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vetë të pezulloj liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Kjo çështje, sipas tij, nuk duhet të merret seriozisht derisa të flet Komisioni Evropian.

Kam thënë edhe më herët. Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë deri sa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”, ka shkruar Shasha.

Edhe politologu Agon Maliqi ka vlerësuar se vetëm Franca nuk e ka fuqinë për ta ndalur lëvizjen pa viza të kosovarëve në zonën shengen, e cila pritet të fillojë nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Së pari, Franca nuk e ka fuqinë për ta përmbysur një vendim dhe ligj të BE-së e vetme. Mund të provojë ta nisë një rishikim të vendimit, por do të përballet me rezistencë. Së dyti, Macron e di këtë fakt dhe deklarata e tij e shprehur mjaft paqartë duket thjesht e lëshuar për të shprehur frustrim me faktin se francezët ndihen të prerë në besë, sepse e kanë marrë vendimin paraprak për vizat me disa garanci të dhëna prej Kosovës. Dhe ndoshta edhe për të bërë presion që marrëveshja të zbatohet, si dhe për të treguar se Franca prej tash e tutje do të jetë penguese në çdo hap integrues të Kosovës në BE, Këshill të Evropës dhe NATO, nëse Kosova nuk ndryshon qasje”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burimet nga Brukseli, ka njoftuar se deri me tani asnjë vend i BE-së nuk ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë burim i REL-it.

Çfarë është mekanizmi i pezullimit të vizave?

Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Taulant Kryeziu, ka treguar se si mund të bëhet pezullimi i këtij procesi.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se shtetet anëtare të BE-së mund të aktivizojnë mekanizmin e pezullimit të vizave duke i dërguar një njoftim Komisionit Evropian.

Shtetet anëtare të BE-së mund të aktivizojnë mekanizmin e pezullimit të vizave duke i dërguar një njoftim Komisionit në rast se përballen, për një periudhë dy mujore (në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ose me dy muajt e fundit përpara zbatimit të përjashtimit nga viza), me një ose më shumë nga rrethanat e mëposhtme: 1. Një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) në migrimin e parregullt, mbi-qëndrimet dhe personat të cilëve u refuzohet hyrja; 2. Një rritje thelbësore (më shumë se 50%) e kërkesave për azil me shkallë të ulët njohjeje (rreth 3-4%); 3. Ulje e bashkëpunimit për ripranimin;-Rreziqet e shtuara për sigurinë e shteteve anëtare, veçanërisht për veprat penale të rënda”, ka shkruar ai, duke treguar se si aktivizohet ky mekanizëm.

Për të kërkuar aktivizimin e mekanizmit, duhet të dërgohet një njoftim që tregon qartë arsyet, duke përfshirë të gjitha të dhënat dhe statistikat përkatëse, si dhe jep një shpjegim të detajuar të masave paraprake që janë marrë nga shteti anëtar me synimin për të korrigjuar situatën. Sipas rregullave të rishikuara, Komisioni gjithashtu mund të aktivizojë mekanizmin duke informuar Parlamentin Evropian dhe Këshillin për cilëndo nga ato rrethana për të cilat ka informacion konkret dhe të besueshëm ose përmes një raporti për regresionin në përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave”, ka vlerësuar Kryeziu.

Megjithatë, ai ka pranuar se proceset e pezullimit janë vështir të realizueshme.

Vendimet për pezullimin e udhëtimit pa viza sigurisht që nuk do të merren lehtë dhe çdo hap që çon drejt aktivizimit të mekanizmit të pezullimit do t’i nënshtrohet vlerësimit dhe analizës së kujdesshme. Qëllimi i mekanizmit të rishikuar të pezullimit është ta bëjë atë më efektiv në përgjigjen ndaj çdo rreziku të mundshëm migrator dhe të sigurisë që mund të lindë nga udhëtimi pa viza, duke ruajtur njëkohësisht objektivi i liberalizimit të vizave. Kjo do të thotë se vendet e treta do të duhet gjithashtu të monitorojnë nga afër situatat e tyre përkatëse të brendshme dhe të marrin masat e duhura aty ku është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e një situate të tillë”, ka shkruar ai.

Pasi Komisioni të jetë njoftuar nga shtete anëtare për ndonjë nga rrethanat për pezullim, sipas tij, Komisioni vlerëson me kujdes nëse nevojitet veprimi.

Së pari, Komisioni do të përcaktojë ndikimin e përgjithshëm në situatën migratore të BE-së. Pas paraqitjes së rezultateve të shqyrtimit të tij në Parlament dhe Këshill, Komisioni mund të vendosë se me të vërtetë kërkohen veprime specifike. Si hap tjetër, nëse kërkohen veprime specifike pas vlerësimit të Komisionit ose kur shumica e thjeshtë e Shteteve Anëtare e kanë njoftuar Komisionin për ndonjë nga rrethanat për të cilat mund të aktivizohet mekanizmi, Komisioni do të miratojë një akt zbatues brenda një muaji nga marrjen e një njoftimi të tillë. Akti, që do të miratohet me shumicë të cilësuar në Këshill, do të pezullojë përkohësisht përjashtimin nga viza për disa kategori shtetasish të vendit të tretë në fjalë (për shembull, të përcaktuar nga lloji i dokumentit të udhëtimit) për një periudhë 9 mujore. Gjatë periudhës së një pezullimi të tillë, Komisioni do të punojë ngushtë me vendin e tretë në fjalë me synimin për të korrigjuar rrethanat në fjalë. Në rastet kur rrethanat vazhdojnë përtej periudhës fillestare 9-mujore, Komisioni do të miratojë më tej një akt të deleguar, i cili do të pezullonte përjashtimin nga viza për të gjithë shtetasit për 18 muaj të tjerë”, ka shkruar ai, duke treguar se pezullimi bëhet me një akt legjislativ.

Si mjet i fundit, nëse rrethanat që nxitën mekanizmin mbeten pavarësisht një dialogu të zgjeruar me vendin e tretë dhe përpjekjeve për të korrigjuar situatën, Komisioni mund të propozojë një legjislacion për transferimin e përhershëm të këtij vendi në listën e kërkuar të vizave. Ky propozim legjislativ do të duhej të dorëzohej nga Komisioni në Parlamentin Evropian dhe Këshillin, ku do të ndiqte një procedurë të zakonshme legjislative”, ka vlerësuar Kryeziu./Nacionale