Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Philip Kossnett, në një intervistë për portalin pan-evropian të lajmeve “Euractiv”, ka komentuar rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi dhe ngjarjet vdekjeprurëse të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
Kossnett, i cili ka udhëhequr diplomacinë amerikane në Kosovë nga viti 2018 deri në vitin 2021, ka thënë se përgjatë 15-20 viteve të fundit të përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kishte pasur një tendencë për të trajtuar Kosovën sikur një “fëmijë të padisiplinuar që duhet të bëjë siç i thuhet”.
Kjo qasje e kombinuar edhe me idenë se Serbia është shteti më i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe duhet të “futet në orbitën evropiane dhe jo të shtyhet në krahët e Rusisë dhe Kinës”, sipas ish-ambasadorit Kossnett, tash bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane (CEPA), nuk ka qenë qasja më e mençur.
“Unë mendoj se Serbia është qartazi e rrënjosur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk kanë treguar ende ndonjë rezultat”, ka nënvizuar ish-ambasadori Kossnett.
Ish-ambasadori Kossnett ka thënë se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por edhe vendosja potenciale e masave ndëshkuese ndaj Serbisë, nuk është qasja e duhur. Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet të stimulohen dhe jo të ndëshkohen në përpjekjet për të zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Karotat janë më efektive se shkopinjtë, stimujt më të efektshëm se kërcënimet në diplomaci. Të dyja kanë vendin e tyre, por unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të bënte më mirë të fokusohej në stimujt ekonomikë, politikë dhe të sigurisë sesa në sanksionet”, ka potencuar ish-ambasadori Kossnett.
E detyrë parësore pas ngjarjeve në pjesën veriore të Kosovës, sipas ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, duhet të jetë “rimendimi” i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga BE-ja dhe SHBA-të. Ai ka vlerësuar se ngjarjet në Banjë kanë ndryshuar llogaritë.