Agresioni i Serbisë në Kosovë i datës 24 shtator ka tronditur rajonin dhe më gjerë.
Shumë liderë botërorë, shtete dhe organizata e dënuan këtë akt, duke e quajtur të papranueshëm dhe cilësuar si terrorist.
Si pasojë e sulmit të armatosur nga një grup terrorist serb, që udhëhiqej nga Milan Radoiçiq, u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti.
Dënimi i Serbisë përmes masave sanksionuese u kërkua nga ana e politikës kosovare.
E të njëjtën gjë pritet ta kërkojnë në formë zyrtare edhe Parlamenti Evropian.
Kështu të pakten po raporton gazeta serbe N1, përcjell Klankosova.
Sipas një artikulli të kësaj gazete, grupet më të mëdha politike në Parlamentin e Evropian kanë përfunduar draftet e propozimeve të tyre për një rezolutë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe sulmin e armatosur në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.
Përmes kësaj rezolute do të kërkohet vendosja e masave ndëshkuese ndaj Serbisë.
Por, eurodeputetët siç shkruan gazeta duket se kanë qëndrime të ndryshme nëse duhet të prezantohen menjëherë apo vetëm nëse vërtetohet se Beogradi zyrtar ka lidhje me sulmin terrorist në veri të Kosovës.
Nga Partia Popullore Evropiane apo siç njihen ndryshe (EPP), grupi politik më i madh në Parlamentin Evropian, janë të mendimit se duhet dënuar përkrahja që u ka dhënë Beogradi zyrtar autorëve të sulmit terrorist, por ata nuk do të insistojë në gjuhë të ashpër dhe dënime apriori ndaj Serbisë, për shkak të kundërshtimit të disa anëtarëve partiakë të grupit, që sipas gazetës vijnë kryesisht nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Sipas N1, EPP dhe të Gjelbrit (Greens/EFA) janë dakord që Serbia duhet të ndëshkohet, por vetëm nëse hetimi tregon lidhjen e shtetit me agresionin në Banjskë, ndërsa socialdemokratët besojnë se Serbia është de-facto përgjegjëse për ngjarjet e 24 shtatorit dhe se ajo duhet të dënohet menjëherë për këtë, si dhe për veprimet e mëparshme, të cilat sipas tyre nuk kanë shkuar në favor të bashkëpunimit dhe qetësimit të situatës.
Votimi i kësaj rezolutë mund të ndodh në seancën e radhës të 19 tetorit.