Kryetari i Institutit Ekonomik të Vjenës dhe presidenti i Institutit Ndërkombëtar për Paqe, Hannes Swoboda, tha se të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet në botë, duke përfshirë edhe Izraelin dhe Palestinën, mund të kenë ndikim në situatën në Kosovë, prandaj, siç ai thekson, BE-ja duhet të insistojë unanimisht që Kosova dhe Serbia t’i afrohen zbatimit të marrëveshjeve të arritura, duke përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe.
“Të gjitha konfliktet e hapura, të gjitha mosmarrëveshjet në një moment do të fillojnë të rrjedhin sërish gjak, kështu është edhe me Kosovën, prandaj duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet, prandaj BE-ja me zërin e saj unik insiston në këtë, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit, tha Swoboda për Kosovo-Online.
Ai paralajmëron se mund të ndodhë që pas sulmit terrorist në Izrael dhe luftës që shpërtheu, çështja e Kosovës të lihet anash.
“Prandaj nuk duhet të lejojmë të kalojë koha, duhet të reagojmë menjëherë pasi konflikti shpërthen sërish në një moment”, tha Svoboda.
Ai vlerëson se në një moment të caktuar ka pasur ndryshime dhe ngecje në procesin e negociatave kur është fjala për Asociacionin e Komunave Serbe dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka bërë ndryshime të caktuara, por se elementi bazë ka mbetur i njëjtë, se duhet të jetë e formuar nga qeveria e Kosovës, dhe ky është mesazhi që BE-ja duhet t’ia përcjellë qartë Kurtit.
Svoboda thekson se zgjidhja e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varet ekskluzivisht nga krerët e qeverive pjesëmarrëse në dialog dhe nga Komisioni Evropian, e jo nga ndërmjetësit.
“Unë as nuk e kritikoj dhe as nuk e lavdëroj Borrellin dhe Lajçakun, zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje varet nga krerët e qeverive që janë në dialog dhe nga Komisioni Evropian. Vendet anëtare të BE-së dhe ata e kishin shumë të qartë se tani nuk është koha për diskutime dhe mosmarrëveshje, por për zbatimin e marrëveshjeve”, tha ai.
Palët duhet fillimisht, siç thotë ai, të angazhohen për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe pastaj të kemi një marrëveshje që do ta nënshkruajnë të dyja palët, sepse kur ke një marrëveshje që nuk nënshkruhet, është thjesht një copë letër.
“Unë e kuptoj palën serbe se Asociacioni është çështje kyçe dhe Kurti duhet të reagojë në këtë drejtim, por edhe Serbia duhet të veprojë në përputhje me marrëveshjet”, ka përfunduar Swoboda.