Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) Marko Makovec tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë me një marrëveshje që do të “ndryshojë karakterin e Serbisë” dhe “ta bëjë Kosovën shtet”.
“Kjo është një punë shumë e madhe dhe kjo është arsyeja pse negociatat po marrin kaq shumë kohë. Së fundmi kemi pasur edhe një operacion më 24 shtator (sulm i armatosur i serbëve në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator, ndaj policisë së Kosovës), për të cilin do të duhet të diskutojmë më tej, se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka çuar në të”, tha Makovec në një panel në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Beogradit (BSC), raporton mediumi i pavarur serb “Danas”.
Makovec tha se situata në Kosovë nuk duhet të krahasohet me “konflikte të thella”, siç është në Irlandën e Veriut, të cilën disa ekspertë e pretendojnë.
“Megjithatë, dialogu do të vazhdojë dhe ne do të bëjmë çmos që situata të mos shkojë në atë drejtim. Ne do të përpiqemi të përdorim të gjitha burimet tona; dhe përpjekjet për të rikthyer të dyja palët në tavolinë, në një proces politik”, tha ai.
Shkencëtari i gjeostrategjisë Guido Goldman, me bazë në zyrën e GMF në Berlin, Thomas Kleine-Brockhoff pyeti në panel: “Cilat janë burimet që nuk janë përdorur ende?”
“Çfarë do të thotë: të gjitha përpjekjet tona? Nuk i shoh të gjitha përpjekjet tuaja. Ajo që nuk bëtë nuk është e mjaftueshme”, tha Kleine- Brockhoff në panelin “Ukraina dhe Aleatët: Ruajtja e Unitetit dhe Solidaritetit të Fortë”.
Ai shtoi se nuk është i sigurt nëse shtetet anëtare apo vetë BE-ja janë të gatshme të bëjnë atë që është e nevojshme për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë dhe në veri të Kosovës.
Makovec tha se natyra e konflikteve në Ukrainë dhe Kosovë janë të ndryshme.
“Konflikti në Kosovë është më ligjor dhe kushtetues. Në Ukrainë, është siguria. Na duhet më shumë kohë për të arritur një rezultat, por ne mund të përdorim vetëm mjete politike”, u përgjigj Makovec.
Pjesëmarrësi i tretë i panelit, presidenti i Institutit Ekonomik të Vjenës (WIIW), Hannes Swoboda, e ndërpreu diskutimin duke pretenduar se koncepti i Bashkimit Evropian po keqkuptohet gjatë diskutimit.
“Mendoj se të gjithë imagjinoni se BE-ja funksionon ndryshe nga sa funksionon në të vërtetë. Duhet të gjejmë një mënyrë për të pranuar shtete të reja dhe për të arritur formën përfundimtare të synuar të BE-së në të njëjtën kohë”, tha ai.
Fokusi i konferencës së sivjetme të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), e cila titullohet “Rindërtimi i (ç)rregullit global”, janë çështjet gjeostrategjike, siguria globale, zgjerimi i BE-së, lufta për demokraci, kapja e shtetit, siguria kibernetike, të drejtat e njeriut, zgjidhja e konflikteve, lufta në Ukrainë dhe “tranzicioni i gjelbër”.