Fshati mysliman që kujdeset për pesë kishat bizantine

Sa herë lind e perëndon dielli në fshatin Kërçisht është Rustemi që thërret ezanin, koha e faljes së namazit për besimtarët myslimanë.

Sot këtu jetojnë banorë, shumica e të cilëve i përkasin besimit islam. Por që kujdesen për 5 kishat e fshatit njësoj si objektet e kultit ku kryejnë ritet e tyre fetare. Madje për të treguar historinë e këtyre kishave na shoqëron vetë Rustemi.

Fshati Kërçisht i Epërm në Maqellarë është i njohur për pesë kishat bizantine, si Kral Kërçini, Shën Spahia, Shën Dhimitri, Shën Sotir dhe Shën Pobrazhit që ndodhet në majë të malit. Të pesë kishat janë të vendosura në formën e kyqit.

Vetëm dy prej tyre janë të hapura dhe mund të vizitohen, kjo edhe falë mirëmbajtjes së vazhdueshme nga banorët e zonës.

KISHA SHËN DHIMITRI

Kisha me sipërfaqen më të madhe është ajo e “Shën Dhimitrit” që thuhet të jetë ndërtuar nga muratorë vendas në vitin 1892 me gurë e llaç gëlqereje dhe anon nga kultura bizantine. Çatia e kishës është me konstruksion druri dhe është e mbuluar me rrasa guri, ndërsa tavani është i zbukuruar me afreske.

Në brendësi ka vetëm disa objekte për shërbesa fetare, ndërsa në mure ka afreske që janë të dëmtuara.

Kisha e Shën Dhimitrit është shpallur monument kulture me datë 25.09.2007, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Festa lokale në zonë është “Dita e Spasovden”, e njohur gjithashtu si Dita e Ngjitjes për shkak të ngjitjeve të Krishtit që përfunduan aktin e shpëtimit. Është një festë karakteristike për ata që praktikojnë fenë ortodokse.

Banorët e zonës na tregojnë se shumë besimtarë vijnë nga Tirana, Elbasani, Shkupi dhe Dibra e madhe për ta festuar. Në afërsi të kishës “Shën Dhimitri” ndodhen edhe varret që akoma kanë kryqet e vendosura.

Në ditët e kremtimit të festave fetare, të gjithë bëheshin bashkë në tryezat e njëri-tjetrit. Vështirë të kuptoje kush ishte mysliman e kush i krishterë.

Nexhmedin Nurçe, tjetër banor i zonës i besimit islam tregon se si edhe besimtarët ortodoksë respektonin ritet e bashkëfshatarëve myslimanë.

KISHA SHËN SOTIRI

Në qendër të fshatit gjendet Kisha Sveti Spas ose “Shën Sotirit” e ndërtuar rreth vitit 1270. E thjeshtë dhe vetëm me një dritare në qendër të saj.

Në mure ruhen afreske që janë dëmtuar, me përmasa 7m x 3.2m.

Muratura e kishës është ndërtuar me gurë pothuajse të papunuar, lidhur me llaç gëlqere. Kisha e “Shën Sotirit” është shpallur monument kulture në me datë 30.05.1970, nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës. Kjo kishë frekuentohet vetëm nga ish banorët e fshatit Kërçisht, që sot jetojnë në Maqedoni, të cilët vijnë për të kryer ritet fetare.

I njohur ndryshe si ballkoni i Maqellarës, Kërçisht i Epërm është një fshat afër me kufirin e Maqedonisë së Veriut, i shtrirë buzë malit të Kërçinit nga ka marrë dhe emrin, me një lartësi prej 2342 metrash, pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komiteti për pakicat kombëtare në Shqipëri, ndër 50 fshatrat ku është përqendruar pakica kombëtare maqedonase janë edhe Kërçisht i Epërm dhe i Poshtëm në Bashkinë e Peshkopisë. Këto zona kanë kaluar nën shtetin shqiptar në vitet 1924-25 kur u vendosën kufijtë.

Pakica kombëtare maqedonase në Luftën e Dytë Botërore, shfrytëzoi momentin historik dhe u përfshi në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare te Shqipërisë. Në baze të sakrificës së partizanëve maqedonas në luftën Antifashiste në Shqipëri në Luftën e Dytë Botërore, që në vitin 1945, maqedonasit u njohën si pakicë kombëtare në zonën e Prespës dhe fshatin Vërnik në zonën e Devollit në Qarkun e Korçës si dhe në zonën e Gollobordës dhe në fshatin Kërçisht i Epërm në Qarkun e Dibrës. Në këto zona, pakica kombëtare maqedonase fitoi të drejtën e arsimit në gjuhën amtare maqedonase. Fatkeqësisht, në fshatrat në zonën e Gollobordës si dhe në fshatin Kërçisht i Epërm në Maqellarë shkollat në gjuhën maqedonase u lejuan deri në vitin 1949.

Sot ata kanë ikur pothuajse të gjithë. Por mblidhen çdo vit të Shtunën e parë pas Ditës së Shpëtimit, në kishën e Shën Dhimitrit.  Bashkëjetesa me popullsinë myslimane ka qenë dhe është e veçantë.  Jo vetëm kanë respektuar besimin e njëri-tjetrit por edhe kanë lidhur kurorë. Agim dhe Ollga Miftari janë një ndër çiftet që e tregojnë se pavarësisht besimeve të ndryshme e projektuan së bashku të ardhmen dhe sot janë të lumtur me familjen që kanë krijuar./ReportTv.al