Sipas hulumtimit të Institutit për Çështje Evropiane në Serbi në bashkëpunim me shtëpinë hulumtuese Smart Plus Research, 46 për qind e të anketuarave në Serbi mendojnë se Kosova është e humbur, derisa të rinjtë mendojnë se Qeveria e Serbisë do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Në mesin e atyre që ndajnë mendimin se qeveria do ta njohë Kosovën, shumica janë meshkuj të anketuar të moshës 30-44 vjeç, me nivel të lartë arsimor dhe nga Beogradi, dhe nga ana tjetër, qytetarët më të vjetër më shpesh mbrojnë pikëpamjen se Kosova nuk do të njihet gjatë mandatit të kësaj qeverie.
Gratë e anketuara të moshës 30 deri në 40 vjeçare e konsiderojnë Kosovën të humbur në masë më të madhe, ndërsa ato mbi 60 vjeç janë më të prirura të mendojnë se ka ende shpresë për Kosovën, raporton mediumi opozitar në Serbi, Danas.
Ndërsa mendimet nëse kjo qeveri do ta njohë pavarësinë e Kosovës janë të ndara – 32.3 për qind e konsiderojnë të mundshme, 39.8 për qind mendojnë se qeveria nuk do ta bëjë këtë, ndërsa 27.9 për qind janë të pavendosur.
Shumica e të anketuarve janë skeptikë kur është fjala për mundësinë që Serbia të rivendosë sovranitetin dhe kontrollin mbi Kosovën dhe 45.3 për qind besojnë se kjo nuk është e arritshme.
Por, pothuajse gjysma e qytetarëve nuk do ta përkrahnin planin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç i cili do t’u sillte qytetarëve të Serbisë një shtet të qëndrueshëm dhe një standard më të mirë, por me çmimin e pavarësisë së Kosovës.
Sipas anketës, është i dukshëm trendi në rënie i kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës.