Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë vazhdon ta mbajë të heshtur një konflikt fizik mes dy zyrtarëve të lartë të këtij institucioni.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se rektori i Universitetit, Armand Krasniqi para pak ditësh ka patur një konflikt me sekretaren e universitetit, Tirana Hasani.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, gjithçka ka ndodhur pas një debati të momentit kur dyshohet se rektori e ka gjuajtur me karrige kolegen e tij.
E shqetësuar për rastin në fjalë, gjendja shëndetësore e sekretares është përkeqësuar brenda ambientit të universitetit, për çka është ftuar edhe ambulanca që e ka marrë atë për trajtim të mëtejmë shëndetësor.
Indeksonline i ka kontaktuar të dy palët për rastin në fjalë, por që asnjëri s’e ka mohuar konfliktin fizik.
“Mos më shqetësoni në telefon privat” ka qenë përgjigja e shkurtër e rektorit. “Jam në një takim urgjent”, ka qenë përgjigja e zonjës Hasani, e cila më nuk është lajmëruar për të dhënë versionin e saj.
Për rastin në fjalë janë të njoftuar edhe kolegët e universitetit “Haxhi Zeka” të cilët në kushte anonimeti kanë thënë se e tëra është e vërtetë, por se nuk duan që të prononcohen më shumë.