Shtatë kosovarë kërkojnë ndihmë për evakuuim nga Izraeli

Pas sulmit të befasishëm të grupit militant Hamas ndaj Izraelit të shtunën më 7 shtator, numri i viktimave izraelite raportohet se është rritur në një minimum prej 800 viktimash. Izraeli ka zbatuar një “bllokadë të plotë” të Gazës si përgjigje. Ndërkohë, raportohet se autoritetet e Gazës kanë konfirmuar një minimum prej 560 viktimash.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në të paktën 800, me 2616 të plagosur, sipas autoriteteve izraelite, raporton The Guardian. Nga ana tjetër, numri i të vdekurve në Gaza është rritur në 560, me 2900 të plagosur.

Ndërkaq, Klan Kosova ka mësuar se shtatë shtetas kosovarë aktualisht po kërkojnë ndihmën e Ambasadës së Kosovës në Izrael për të gjetur një zgjidhje dhe për t’u larguar nga zona e konfliktit që shpërtheu në këtë vend.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit. Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po mban kontakte të vazhdueshme edhe me shtetasit e Republikës së Kosovës që ndodhen me punë në shtetin e Izraelit si pjesë e stafit ndërkombëtar të organizatave të huaja apo agjensioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – OKB-së”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë Shqipëria ka evakouar 40 persona nga Izraeli. Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, ka njoftuar se në mesin e pasagjerëve që arritën mbrëmjen e së dielës, kishte edhe kosovarë.

Shefi i OKB-së “i shqetësuar” nga deklaratat e Izraelit

Në përgjigje të sulmit, i cili u përshkrua si “paprecedentë“, Izraeli ka shpallur një “rrethim të plotë” të Gazës, duke e ndërprerë atë nga furnizimi me ujë dhe energji elektrike dhe ka nisur qindra sulme në enklavën palestineze, pasi Hamasi pretendoi se bombardimet izraelite kishin vrarë pengjet e mbajtur atje.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të hënën se ushtria izraelite po vazhdon sulmin kundër Hamasit me një forcë “si kurrë më parë”.

“Ne e dinim gjithmonë se kush ishte Hamasi. Tani, pjesa tjetër e botës e di. Hamasi është ISIS dhe ne do të fitojmë kundër tyre pasi bota moderne mbizotëroi kundër ISIS,” tha Netanyahu në një fjalim televiziv drejtuar kombit, raporton CNN. “Ky armik donte luftë dhe kjo është ajo që ata do të marrin,” tha ai.

Ndërkohë, António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga deklarata e Izraelit për një “rrethim të plotë” të Gazës.

Duke folur nga selia e OKB-së në Nju Jork, Guterres tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga raportimet për vdekjen e më shumë se 500 palestinezëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë, raportoi The Guardian.

Autoritetet izraelite pohuan se ata rivendosën kontrollin në pjesën jugore, por se disa militantë të Hamasit mund të jenë ende të pranishëm brenda Izraelit.

Zëdhënësi i IDF-së, nënkoloneli Jonathan Conricus, tha se “pothuajse 48 orë pas luftimeve … situata në Izrael është e tmerrshme“.

“Është dita më e keqe në historinë e Izraelit. Asnjëherë më parë nuk janë vrarë kaq shumë izraelitë nga një gjë e vetme në një ditë.” – deklaroi ai, sipas CNN.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, nëntë shtetas amerikanë kanë humbur jetën tragjikisht si pasojë e sulmeve të fundit të Hamasit në Izrael gjatë fundjavës.

Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA, konfirmoi vdekjet. “Aktualisht, ne mund të verifikojmë vdekjen e nëntë shtetasve amerikanë. Përveç kësaj, ka shtetas amerikanë, vendndodhja e të cilëve ende nuk është konfirmuar dhe ne po bashkëpunojmë me homologët tanë izraelitë për të konstatuar vendndodhjet e tyre”. – tha ai.

Siç transmeton Nacionale, sipas BBC, të paktën 10 qytetarë britanikë mbeten të pagjetur. Franca ka verifikuar vdekjen e dy shtetasve të saj, me raporte që sugjerojnë se deri në nëntë individë francezë janë të pagjetur, të vdekur ose të mbajtur peng.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy njoftoi se në incident kanë humbur jetën edhe dy ukrainas.