Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur sot në takim Admiralin Stuart B. Munsch, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, të shoqëruar nga komandanti në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Në këtë takim u bisedua për çështjen e sigurisë në vend, Maqedonci dhe Gjeneral Jashari shprehën mirënjohje të thellë për punën, përkushtimin, rolin dhe rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është me interes për të gjithë.
Në veçanti, ata shprehën falënderim për mbështetjen e NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, pas agresionit dhe sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator.
Gjithashtu, në këtë takim u rikonfirmua gatishmëria për thellim të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së me KFOR-in, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit tonë.