Jo rrallëherë prindërit përfundojnë në pranga për shkak të keqtrajtimit që ua bëjnë fëmijëve. Në shumicën e këtyre rasteve, viktima janë të miturit, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike. Për një rast të tillë, ka përfunduar në Polici edhe një 36-vjeçar nga Gjakova.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personi që u arrestua po dyshohet për dhunë psikike dhe kanosje ndaj vajzës së tij, pas një konflikti verbal që kishin pasur mes vete.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 15-vjeçare, e cila u kërcënua nga babai i saj, kur vendosi të shkojë për të jetuar me nënën, pasi prindërit ishin të ndarë.
Vendimi i saj siç duket e ka mllefosur të dyshuarin, i cili i ka dërguar mesazhe të cilat e kanë shqetësuar vajzën, e cila e raportoi rastin në Polici.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij, ndërsa vajza ka refuzuar që të strehohet, por ka vendosur që të shkojë te nëna e saj.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj babait të dyshuar është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.