Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka ngritur pretendime se dëshmitari i ardhshëm që do të dëshmojë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), të martën ka tentuar që të negociojë me Prokurorinë para se të dëshmoj.
Emmerson, gjatë fjalimit të tij në seancën ku ishte duke dëshmuar ish gazetari i mediumit serb Tanjug, Nebojsha Radosheviç, ka kërkuar nga përfaqësuesit e Prokurorisë që të shikojnë përmbajtjen përgatitore të këtij dëshmitari.
“S’ka lidhje me këtë dëshmitar, por ka lidhje me dëshmitarin që do të dëshmojë nesër. Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shikoni shkrimin e dëshmitarit, por ju lutem ta shikoni shënimin përgatitorë numër 2”.
“Në këtë shënim përgatitorë është një përshkrim ku shihen përpjekje nga dëshmitari të negociojë diçka me Prokurorinë para se të jap dëshminë. Është paragrafi 1 dhe 12, diskutohet diçka lidhur me atë që është premtuar në të shkuarën dhe atë se çfarë s’është premtuar”, ka thënë Emmerson.
Tutje, ai ka thënë se përmes kësaj forme dëshmitari shpreh dëshirën e tij që të negociojë për ndonjë përfitim të caktuar.
“Ka një kontradiktë të qartë mes asaj që është premtuar. Zotëri Thaçi, tha se ka një kontradiktë mes asaj që ai pretendon dhe asaj se çfarë është pretenduar në të vërtetë”.
“Në thelb s’është pretenduar asgjë sipas këtij paragrafi, por kemi një situatë këtu. Dëshmitari ka shprehur dëshirën të negociojë një përfitim apo një paketë të caktuar dhe nuk e di nëse ju jeni të njohur me juridiksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por këtu ngrihen pikëpyetje sa i përket sjelljes së përfaqësuesit të Prokurorisë, i cili në njëfarë mënyrë i jep sugjerime dëshmitarit”.
Emmerson, ka theksuar se kjo është në kundërshtim edhe me juridiksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) por edhe me atë të Mbretërisë së Bashkuar.
“Në Mbretërinë e Bashkuara apo në SHBA, kjo është krejt e papranueshme kur avokati i bën një premtim dëshmitarit dhe vetë dëshmitari thotë se më keni premtuar diçka dhe përfaqësuesit e Prokurorisë i thonë se kanë premtuar diçka tjetër. Ju kërkoj që të shihni 17 paragrafët të shënimit përgatitor, të shqyrtohet se çka është ky premtim dhe çfarë pasoja ka kjo”.
Të hënën në Gjykatën Speciale, ka nisur dëshminë Nebojsha Radosheviç, në rastin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Seanca është mbajtur e hapur për publikun.