Në seancën e rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sot pritet të diskutohet për situatën në Kosovë.
Sesioni duhet të diskutojë gjithashtu situatën në Izrael dhe Nagorno-Karabakh.
Seanca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbahet pas orës 16:00.
Më 24 shtator, një grup terroristësh sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.
Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.
Kosova ka fajësuar për këtë sulm terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.
Çfarë nuk u tha në Serbi për rastin e Radoiçiqit?
Kush është Millan Radoiçiqi?
Hovenier: Çështja e përgjegjësisë mbi sulmin nuk merr fund me deklarimin e Radoiçiqit
Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.
Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.