Rreth 60 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vullnetare që nga fillimi i këtij viti për shkak të pakënaqësive me kushtet e punës. Kryetari i Sindikatës thotë për televizionin se shumica e tyre janë profesionistë andaj vështirë është plotësimi i vendeve të tyre. Edhe njohës të fushës këtë e konsiderojnë si një alarm për institucionet e vendit.
Për ta veshur uniformën e Policisë së Kosovës, duhet shumë mundë e sakrificë. Madje duhet pritur edhe në radhë. Dhe jo gjithkush mund të bëhet pjesëtar i Policisë së Kosovë.
Por megjithë dashurinë dhe vullnetin për këtë profesion, kushtet jo të mira, po bëjnë që dhjetëra pjesëtarë të Policisë së Kosovës të heqin dorë nga uniforma.
Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri thotë se kjo është shqetësuese andaj kërkon edhe veprimin e menjëhershëm të Institucioneve.
“Unë e kam thënë edhe gjatë takimeve dhe kërkesave që kemi bërë si Sindikatë se puna e dorëheqjeve në Polici duhet marrë shqetësuese për vet shtetin sepse jemi institucioni i vetëm i sigurisë dhe të gjithë ata që janë pjesëtarë që po japin dorëheqje e kanë dëshmuar veten me profesionalizëm dhe përvojën prandaj nëse vazhdon këtë trend do të mbesim pa profesionistë”, ka thënë Zeqiri për Tëvë1.
Kryesindikalisti tregon se shumica e të dorëhequrve janë profesionistë të dëshmuar, andaj vlerëson se do të jetë vështirë zëvendësimi i tyre me policë të rinj.
“Vërtet shumica e këtyre janë profesionistë të dëshmuar dhe për t’u zëvendësuar një profesionist I tillë duhet të kalohet minimum 5 vite e 9 muaj duhet të pritet për me ardhë deri të një profesionist që kanë dhënë dorëheqje, shumica e tyre janë mbi 10 vite përvojë pune e që kemi edhe eprorë që kanë dhënë dorëheqje”, thotë ai.
Këto dorëheqje po i sheh si alarmuese edhe njohësi i fushës së sigurisë, Bedri Elezi.
Ai vlerëson se në rast të mospërmbushjes së kërkesave, ky numër i dorëheqjeve do të rritet më shumë andaj kërkon reagimin e institucioneve.
Kërkesat kryesore të policëve janë që në Ligjin e ri të përfshihet shtesa për rrezikshmëri, pensionimi i parakohshëm, por edhe rikthimi i disa benefiteve që u janë hequr.