Zyra e Prokurorit të Specializuar njofton se ka arrestuar Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin ndaj të cilëve ishte lëshuar një fletëarrest nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Bahtjari dhe Januzi janë arrestuar për pengim në administrimin e drejtësisë në Hagë, përkatësisht frikësimin e dëshmitarëve dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.
Këto veprime të të dy të dyshuarve, nga ZPS-ja thuhet se merren shumë seriozisht, ndaj edhe do të vazhdojë hetimi dhe ndjekja penale e të gjithëve të përfshirë.
“Z. Bahtjari dhe z. Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, bën të ditur njoftimi.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”.
Tutje thuhet se ata janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalin para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesë të paarsyeshme.