Komandanti i KFOR-it paralajmëron shtimin e numrit të ushtarëve të NATO-s në Kosovë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Michele Ristuccia, ka thënë të premten se së shpejti në Kosovë do të arrijnë trupa shtesë nga Rumania, përveç përforcimeve të fundit të Britanisë së Madhe.

Ai ka paralajmëruar përforcime edhe nga “vendet tjera aleate”.

Në një konferencë lamtumirëse për mediat në Prishtinë, – teksa e kryen mandatin e tij – Ristuccia ka thënë se rritja e numrit të trupave në Kosovë është e domosdoshme, në mënyrë që KFOR-i të mund ta përmbushë mandatin që ka.

Ristuccia i ka përmendur incidentet e muajve të fundit, kryesisht në veri të Kosovës, dhe ka vlerësuar se të gjitha tregojnë që situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të tensionohet shpejt.

Ai e ka përmendur që vetëm një zgjidhje politike do të mund të garantojë paqe të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit, dhe e ka përsëritur mbështetjen e KFOR-it për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.

Situata është përshkallëzuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, mirëpo kjo e fundit e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

Komandanti në shkuarje i KFOR-it ka thënë se situata tani në Kosovë është më e qetë sesa ditëve të fundit, mirëpo “nëse palët nuk ulen për ta negociuar një zgjidhje politike, kjo situatë do të jetë më e cenueshme dhe më e paqëndrueshme sesa ajo paraprake”.

“Dy palët duhet të ulen në tavolinë negociuese. Prandaj e mbështesim dialogun. Besojmë plotësisht në përpjekjet diplomatike për ta gjetur një zgjidhje për këtë situatë”.