Një frazë që e shqiptoi kryeministri shqiptar, Edi Rama, e që edhe ashtu kaherë është përdorur si kllishe se “veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”, e që sipas edhe vetë fjalorit të Kembrixhit definohet si “një vend ku nuk ka rregulla, ose që askush nuk e kupton ose e kontrollon sepse nuk i përket as një lloji as një tjetër:”, ngjalli reagime të ashpra, ashtu siç është bërë rëndom, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Rama duke folur nga Granda e Spanjës tha se ka dëgjuar për këto reagime teksa u shpreh se “shpërthyen kanalet e ujërave të zeza”.
“Unë vazhdoj të bëj timen, t’i qëndroj një për një të gjitha bindjeve të mia, sepse nuk janë bindje të krijuara spontanisht, nuk janë bindje që burojnë nga emocione apo erëra që fryjnë në një drejtim apo një drejtim tjetër, nuk janë zjarre që ndizen apo fiken, por janë bindje që burojnë nga një vizion strategjik i rolit të Shqipërisë në rajon dhe i marrëdhënies së Shqipërisë me Kosovën, në funksion të së cilës Shqipëria ka bërë më shumë se kurrë ndonjëherë atë që duhet të bëjë, por Shqipëria nuk është për të mbajtur iso për çdo gjë që thuhet në bazë të analizës, që në të drejtën e tyre bëjnë në Prishtinë. Shqipëria është për të qenë në funksion të Kosovës dhe për njohjen përfundimtare të Kosovës me zërin e vet”, ka thënë Edi Rama.
“Nga ana tjetër, kam parë po ashtu se si gjithmonë në këto raste shpërthejnë të gjitha kanalet e ujërave të zeza, kinse patriotizmit, që siç thotë ajo fjala ‘është streha e fundit e maskarenjve’,” deklaroi Rama.