Ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir, vizitoi Kosovën dhe u shpreh i i bindur, se produktet që prodhohen në Kosovë e kanë vendin e tyre në Evropë.
Ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir, ishte në Kosovë (04.10.), i shoqëruar nga homologu i tij kosovar, Faton Peci dhe vizitoi disa rajone të Kosovës, shijoi ajvarin, verën kosovare dhe siç tha, “është thellësisht i i bindur që produktet që po prodhoni janë të përshtatshme, dhe se ato e kanë vendin e tyre jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit”.
“Kosova me të vërtetë i takon atyre vendeve që marrin drejtimin dhe ecin përpara me transformimin dhe ne si Gjermani mbështesim çdo hap dhe punojmë shumë ngushtë së bashku, si me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por në veçanti edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, tha Özdemir.
Gjermania me atashe për Ushqimin e Bujqësinë në Ambasadën Gjermane në Shkup – përfaqësues për rajonin
Özdemir theksoi, se Gjermania dhe Kosova prej kohësh janë partnerë të besueshëm, veçanërisht në fushën e bujqësisë. “Jemi shumë të kënaqur për bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të Dialogut për Politikat Bujqësore. Me miratimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Kosova është zotuar se do të vazhdojë përpara, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, me kalimin në një ekonomi moderne, neutrale ndaj CO2, rezistente ndaj klimës dhe efikase ndaj burimeve”, tha ministri gjerman Cem Özdemir, duke njoftuar njëkohësisht që Gjermania do ta ketë një Atashe për Ushqim dhe Bujqësi në Ambasadën Gjermane në Shkup, që do të jetë përgjegjës për politikën gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Objektivi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin bujqësor me Ballkanin Perëndimor dhe të promovojmë mundësitë e eksportit dhe investimet e Kosovës në sektorët e bujqësisë të rajonit”, tha Ministri Özdemir.
Ministri kosovar i Bujqësisë, Faton Peci, tha se me ministrin gjerman Özdemir, ka diksutuar “për shumë çështje thelbësore rreth sektorit të bujqësisë, sigurisë ushqimore, sigurimit të ushqimit dhe thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës”. “Kosova dhe Gjermania ndër vite kanë qenë dhe janë partnerë në shumë fusha e veçanërisht në bujqësi. Ekspertiza dhe përkrahja direkte e Qeverisë Gjermane por edhe përkrahja politike në arenën ndërkombëtare për qasje në mekanizmat mbështetës që ka BE në dispozicion, është e pazëvendësueshme”, tha ministri Peci.
Özdemir: Respekt për reagimin e arsyeshëm të qeverisë së Kosovës
Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Özdemir, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe kryeministrin Albin Kurti, të cilit i shprehu edhe qëndrimin e qeverisë gjermane se “Pavarësia e Kosovës duhet të respektohet dhe se për gjendjen e komunitet serb duhet të diskutohet vetëm brenda kufijve të Kosovës”. Ai foli edhe për sulmin e 24 shtatorit në veri, ku nga një grup i armatosur u vra një polic i Kosovës.
“Së pari më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për humbjen e jetës së zyrtarit policor gjatë këtij akti terrorist nga këta kriminelë që vranë njërin nga policët tuaj dhe plagosën të dytin. Dhe më lejoni gjithashtu të shpreh se kam vërtet respekt të thellë për reagimin shumë të arsyeshëm që qeveria juaj dhe policia juaj ka treguar në këtë akt provokimi. E di që kjo nuk është një situatë e lehtë, ndaj vizita ime këtu është përtej bashkëpunimit tonë të shkëlqyer dypalësh, por edhe një gjest solidariteti”, tha ministri Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë i Gjermanisë, Cem Özdemir./DW/