Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka qenë një nga personat më të diskutuar në Kosovë. Fillimisht që reagoi pak vonë, pastaj që reagoi pak zbehtë. E disa qëndrime të tij disa ditë pas sulmit, u kthyen në deklarimet më të diskutuara në Kosovë.
Fillimisht, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se duhet të shtohen trupat e KFOR-it. Ai theksoi se KFOR-i duhet ta ketë nën kontroll veriun e Kosovës.
“Gjithçka mund të përfundoj në gjakderdhje dhe në luftë. Po tani? Po më tej çfarë duhet pritur? Ç’duhet shmangur, dhe ç’duhet bërë e mundur. Shpresoj që shpërthimet në Veri të Kosovës mos ta kthejnë atë në një Donbas. Dialogu mes dy vendeve duhej të ngrihej në një konferencë ndërrajonale. Sot mimialisht formati i Brukselit, ku venë e vinë dy burra nga këtej, hynë e dalin dy burra atje, s’ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Bashkë me stokun e të gjitha marrëveshjeve, të pazbatuara, mund të sjellë largqoftë një stok viktimash të një konflikti të armatosur. KFOR duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Është propozim që e kam bërë më parë dhe në samitin e NATO-s”, deklaroi Rama.
Për këtë deklaratë u pyet më pas edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se kjo temë është tashmë e vendosur, duke shtuar se Policia e Kosovës mbetet reaguesi i parë.
“Për propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës: “Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta të policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E për sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është vendosur. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet ndryshuar”, ka thënë Kurti për “Istraga”.
Reagimet e mëdha në Prishtinë, Rama më pas i quajti qesharake.
“Atyre në Prishtinë që në vend se të fokusohen 100% tek sfida e jashtëzakonshme që kanë, gjejnë kohë edhe për të fryrë me fejsbuk, përmes profilesh politike apo profilesh fallco, tullumbacin e konspiracionit të “vëllaut të Vuqiqit”, duke ngatërruar për arsyet e mosarsyes së tyre kërkesën time të shpjeguar publikisht dje për KFOR-in, me paralajmërimin tim të para disa muajve për “Republikën e KFOR-it”, u kujtoj sot se: 1. KFOR-i është NATO dhe jo një forcë pushtuese për llogari të Serbisë, e as një fuqi ndarëse e territorit të Republikës së Kosovës, po përkundraze një garanci shumë e madhe në çdo rast kërcënimi!”, kishte shkruar kryeministri i Shqipërisë.
E pak ditë pasi kjo deklaratë e Ramës mbeti nën harresë, kryeministri i Shqipërisë pati një intervistë sërish, ku foli për veriun. Fillimisht u citua kinse Rama tha se “Kosova është tokë e askujt”, por gazeta Financial Times më pas e përmirësoi duke theksuar se Rama deklaroi që “veriu është tokë e askujt”.
Në artikullin e Financial Times, Rama ka përsëritur kërkesën për rivendosë e kontrollit të veriut të Kosovës nga ana e NATO-s. Kryeministri shqiptar u ka bërë thirrje liderëve perëndimor për të zgjidhur “çmendurinë e pafund” ndërmjet vendeve të Ballkanit.
“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”, shkruan FT.
Rama e ka quajtur Kosovën si një pikë të nxehtë, duke shtuar se “me kalimin e viteve” veriu është “bërë toka e askujt”.
“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve veriu është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur” – deklaroi Rama për Financial Times, transmeton Nacionale.
Edhe kjo deklaratë ka nxitur shumë reagime nga analistë, deputetë e përkrahës të partisë në pushtet, të cilët e kanë kritikuar kryeministrin e Shqipërisë.