Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që seanca e posaçme për Kosovën të mbahet më 12 tetor.
Seanca u shoqërua me debate ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi kërkoi seancë urgjente, për mocion me debat dhe miratimin e rezolutës për situatën në Kosovë.
“Është urgjente që të zhvillojmë mocionin me debat. Nuk mundet ne të jemi të fundit. PE e ka zhvilluar”, tha Bardhi.
Nga ana tjetër PS propozoi që rezoluta dhe mocioni me debat të mos jenë urgjenete.
“Propozoj që debati bashkë me rezolutën të bëhen më 19 Tetor”, tha fillimisht kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Ndërkohë që kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi u shpreh: “Nuk mund të nxitojmë. Çdo rezolutë duhet të mbajë ndër mend pozicionin e Shqipërisë që ka në NATO dhe në çdo organizëm. Data mund të rishikohet që të jetë më shpejt, ndoshta të enjten e seancës. Por të hënën nuk mund ta bëjmë dot.”
Tabaku theksoi se: “Shembullin për rezolutë të përbashkët na e dha Kosova. Nuk e kemi kompleks. Rëndësi ka vullneti, mund ta arrimë edhe të hënën”.
Pas diskutimeve u vendos që seanca e posaçme të mbahet më 12 tetor dhe debatit për Kosovën të zgjasë 5 orë në parlamentin e Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu palët kanë rënë dakord të dalin me një rezolutë të përbashkët për dënimit e sulmit të 24 shtatorit në Kosovë.