Zyrtarja e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka thënë se dialogu nuk duhet të vazhdojë me Borell e Lajçak, të cilët sipas Schneeberger i kanë mbajtur anën Serbisë.
Ajo po ashtu thotë se Kosova nuk duhet të pranojë një asociacion një etnik, sepse kështu Beogradi do t’i kontrollojë gjithmonë serbët në veri.
“Angazhimi i Borellit dhe Lajçakut nuk ka treguar rezultat, sepse autokratët kanë nevojë për fjalë të qarta, sepse gjuha e Borrell e Lajçak i ka stimuluar këta autokrat për veprime të tilla. Ata nuk janë objektiv në dialog, dhe si ndërmjetësues ata nuk guxojnë të jenë të njëanshëm, ata i kanë interesat e Serbisë në rend të parë, duke e dërguar dialogun në një qorrsokak”, ka thënë Schneeberger.
Schneeberger ka thënë se është e papranueshme cenimi i sovranitetit të një vendi të pavarur.
“Ky ka qenë sulm mbi sovranitetin e shtetit. Veriu është pjesë e Kosovës. Ky sulm ka pasur për qëllim të krijojë frikë, Vuçiqi luan me frikën ashtu siç bënë edhe Putini. Nuk i dimë të gjithë detajet, por kjo ishte një lojë me zjarr dhe rrezik për eskalim. Besoj që Vuçiqi ka qenë i vetëdijshëm se mund të fillojë një luftë, edhe duke e ditur që ky ishte një provokim i keq nga ana e tij”, ka theksuar në RTK zyrtarja e BE-së.