Analisti Janusz Bugaiski ka komentuar sulmin e armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, si dhe raportet Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Euronews Albania, sulmin në veri e ka quajtur veprim shtetëror nga Serbia kundër Kosovës, i orkestruar nga qeveria Vuçiq.
Tutje, ka thënë se nëse Serbia refuzon çdo lloj përfshirjeje në ato që janë duke ndodhur në Kosovë, qartazi ata janë duke u përpjekur të krijojnë konflikt, konflikte etnik.
Po ashtu Bugajski ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se nuk është mjaftueshëm serioze.
Bugajski: Çfarë mendimi keni për ngjarjen që tronditi Kosovën mëngjesin e 24 shtatorit, sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës?
Nuk do e quaja thjesht një sulm terrorist, mendoj se ishte një sulm shtetëror nga Serbia kundër Kosovës. Qartazi, sulmi u orkestrua nga qeveria serbe, nga shërbimi i sigurisë së Serbisë dhe qëllimi ishte të provokonte më tej tensionin dhe paqëndrueshmërinë dhe mendoj se ishte një provë për veprime të mëtejshme. Mendoj se është pjesë e një motivi përshkallëzimi që mendoj se Vuçiqi do e përdorte herë pas here për të minuar sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Edhe disa ditë pas sulmit, Milan Radoiçiq i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe mori përsipër organizimin e këtij sulmi por refuzoi përfshirjen e Beogradit zyrtar. Është kjo një përpjekje për të mbrojtur presidentin serb nga ky sulm?
Bugajski: Më kujton mënyrën se si Moska refuzonte të kishte dorë në sulmin në Krime e cila çoi në aneksimin e Krimesë dhe rezultoi që sigurisht që ishin të përfshirë që prej fillimit. Deklarata të tilla nuk gënjejnë askënd. Të dhënat tregojnë se shërbimet e inteligjencës së Serbisë, shërbimet e sigurisë së Serbisë, paratë serbe dhe pajisjet luftarake të Beogradit nga Serbia janë duke përshkallëzuar krizën në rajon dhe janë të përqendruar kryesisht në Kosovë.
Se fundmi, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se Kosova ka mandat për hetimet dhe Serbia duhet të bashkëpunojë. Mendoni se Serbia do të ketë vullnet? Pra për të bashkëpunuar me Kosovën?
Bugajski: Nuk e mendoj. Në cilat terma do të bashkëpunojnë? Nëse ata refuzojnë çdo lloj përfshirjeje në ato që janë duke ndodhur në Kosovë, qartazi ata janë duke u përpjekur të krijojnë konflikt, konflikte etnik. Po përpiqen të tregojnë sikur minoritetet janë duke u shtypur. Duan të destabilizojnë vendin. Mendoj se të gjitha këto hetimet duhet të kryhen nga ndërkombëtarët. Duhet të kryhen nga NATO-ja, nga BE-ja dhe nga Shtetet e Bashkuara. Mendoj se kjo është mënyra e vetme ti shkojmë në fund gjësë dhe të zbulojmë kush fshihet nga pas. Përndryshe mendoj që thjesht po humbasim kohën.
BE-ja ka deklaruar se është në pritje të rezultateve të hetimit për të pasur një panoramë të gjerë të ndodhive. Çfarë rrezikon Serbia? Do të ketë sanksioni ndaj saj?
Bugajski: Në rastin më të mirë po, do të ketë sanksione ndaj çdo veprimi të ndërmarr nga ana e Vuçiç, përfshirë këtu sulmin ndaj trupave të NATO-s përpara disa muajsh. Megjithatë asnjë masë nuk është marre në të vërtetë. Madje ka ndodhur e kundërta. Vuçiçi është lavdëruar dhe ka marrë përfitime nga më të ndryshmet nga BE-ja. Fatkeqësisht BE-ja nuk është mjaftueshëm serioze për të marre masa serioze kundër një shteti, kundër një qeverie e cila po destabilizon rajonin. Pra, unë nuk pres ndonjë sanksion të madh nga BE-ja
Si e shikoni qasjen e Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell në këtë proces. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka akuzuar ato se mbajnë anën e Serbisë.
Bugajski: Ose mbajnë anën e Serbisë ose është kthyer në një lloj rutine. Dalin me mocione, bëjnë deklaratat e duhura, udhëtojnë, udhëtojnë shumë në të dyja kryeqytetet dhe në fund të ditës jo vetëm që nuk kemi asnjë rezultat por kemi të kundërtën e progresit, kemi regres. Pra mendoja që në fakt asnjë prej tyre nuk duhet të shërbeje më si i dërguar pasi kanë dështuar në punën e tyre. Nëse do ishin në çdo pozicion tjetër do të ishin zëvendësuar. Nëse pas gjithë këtyre viteve nuk mund të normalizoni dhe të krijoni marrëdhënie dypalëshe midis Kosovës dhe Serbisë atëherë politika juaj ka dështuar.